Bota

Gjermania me sytë nga gadishulli arabik, kërkon partnerë për energjinë!

Diskutimi për mënyrën si të dilet nga kriza energjetike gjermane është në fokus të vizitës që kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz zhvillon sot dhe nesër në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe e Katar. Në këtë vizitë dy-ditore, Scholz shoqërohet nga një delegacion i madh biznesmenësh.

Të tre vendet janë eksportues shumë të rëndësishëm të naftës e gazit dhe qeveria gjermane shpreson që gjatë vizitës të nënshkruhen kontrata konkrete bashkëpunimi.

Në qendër edhe trajtimi i çështjeve të të drejtave të njeriut e sigurisë

Në Jeddah, takimi me princin e kurorës, Mohammed bin Salman, i akuzuar nga inteligjenca amerikane për vrasjen brutale të gazetarit Jamal Khashoggi katër vjet më parë, në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll të Turqisë. Sauditët mohojnë akuzat për 36-vjeçarin, i cili është lideri faktik i monarkisë.

Princi i kurorës ka përgënjeshtruar gjithçka, por vrasja e bujshme e gazetarit pati çuar në një izolim ndërkombëtar të Arabisë Saudite e për pasojë edhe në një krizë të marrëdhënieve gjermano-saudite. Por, që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, plot 7 muaj më parë, liderët e shteteve perëndimore filluan të thyejnë akullin e të afrohen me Arabinë Saudite. Edhe presidenti amerikan, Joe Biden u detyrua t’i shtrinte dorën princit saudit.

Në Gjermani presin që kancelari të mos heshtë për çështjen Khashoggi, por edhe për të tjera, si pjesëmarrja e Arabisë Saudite në luftën e Jemenit. Kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Bundestag, Renata Alt, i kërkoi kancelarit të pozicionohet qartë.

Lufta në Jemen ka shkaktuar një  nga krizat më të mëdha humanitare në të gjithë botën. Scholz të angazhohet për zgjatjen e armëpushimit, që skadon më 2 tetor.  Sado i rëndësishëm që mund të jetë furnizimi me energji elektrike, aq i rëndësishëm është edhe respektimi i të drejtave të njeriut në të gjithë botën.

Udhëtimi i Scholz-it, nesër vijon në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.