Bota

Gjermania padit Italinë, shkak kompensimet e krimeve naziste!

Kompensimet e krimeve naziste, Gjermania dërgon Italinë në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara. Kjo pasi Roma vazhdon të lejojë viktimat e këtyre krimeve, të kërkojnë kompensim nga shteti gjerman. Një vendim i mëparshëm theksonte se të tilla kompensime shkelin ligjin ndërkombëtar. Në padi, Berlini thotë:

Italia vazhdon të lejojë që aplikimet për kompensim të dërgohen në gjykatat vendore, pavarësisht një vendimi të kësaj gjykate më 2012-ën, sipas të cilit, kjo shkel të drejtat e Gjermanisë për imunitet, sipas ligjit ndërkombëtar.

Berlini thotë se që prej vendimit të vitit 2012, ata kanë pranuar mbi 25 kërkesa të reja për kompensim e që janë bërë në Itali kundër shtetit gjerman. Përmes tyre kërkohet kompensim për krimet e kryera nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shumë prej rasteve, gjykatat e kanë urdhëruar Gjermaninë që të paguajë për kompensim. Në dy raste, me qëllim që të paguhen kompensimet, gjykatat italiane kanë tentuar të sekuestrojnë pronat që shteti gjerman ka në pronësi në Romë.

Gjermania bëri të ditur se tani ka ngritur këtë rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për shkak se një gjykatë italiane përcaktoi se duhet të vendoset deri më 25 maj, nëse do të shiten ndërtesat në Romë, disa prej të cilave përdoren nga institucionet kulturore, historike dhe të arsimit të Gjermanisë.

Gjermania i ka kërkuar gjykatës që të ndërmarrë masa të përkohshme në mënyrë që Italia të mos vendosë në ankand publik pronat gjermane. Ende nuk dihet se kur gjykata do të marrë vendim për masa të përkohshme, por pritet që kjo të ndodhë brenda disa javësh. Në përgjithësi, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i duhen vite për të dhënë vendim përfundimtar për raste të tilla.

Mosmarrëveshjet lidhur me kërkesat për kompensim për shkak të dëmeve gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë nisur më 2008-ën, kur gjykata më e lartë italiane vendosi që Gjermania duhet të paguajë rreth 1 milion euro për familjet e nëntë personave që ishin në mesin e 203 të vrarëve nga ushtria gjermane në Civitella të Toskanës më 1944-ën. Gjermania argumenton se tashmë ka kompensuar padrejtësitë e Luftës së Dytë Botërore përmes traktateve të paqes dhe zhdëmtimeve në vendet e prekura, duke paguar miliarda dollarë që nga përfundimi i luftës e fitores mbi nazismin më 1945-ën.