Aktualitet

Gjermania përforcon qëndrimet pro fillimit të konferencave ndërqeveritare me Tiranën e Shkupin!

Ministrja gjermane e Evropës, Anna Lührmann, viziton për herë të parë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Siç bëhet e ditur nga një njoftim të ministrisë së jashtme gjermane, politikania e gjelbër do të takohet sot  në Shkup me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Perandovski, kryeministrin e emëruar, Dimitar Kovaçevski (LSDM), zëvendëskryeministrin Bojan Mariçiq, ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani nga (BDI), si edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Në vendin tonë, ministrja e re gjermane do të takohet nesër me kryeministrin Edi Rama dhe me zëvendësministren e Jashtme, Megi Fino. Veç përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrja do të takojë edhe Albert Hanin, kryetarin e Byrosë Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO).

Vijimësi me fokus të ri

Në qendër të bisedimeve do të jetë integrimi i Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë në rajon, si edhe reformat e brendshme. Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme gjermane, para nisjes për çeljen e negociatave, Lührmann u shpreh:

Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet, prandaj duhet të fillojnë menjëherë konferencat ndërqeveritare. Ne e mbajmë fjalën. Për vijimin e rrugës drejt BE-së mbetet vendimtare që të vijojnë reformat dhe mirëqeverisja.

Në Tiranë, ministrja gjermane do të bisedojë edhe për rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Lührmann i mbetet vijës së paraardhësit Michael Roth, nga Partia Socialdemokrate, i cili tashmë është kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Bashkimit Evropian, Roth ia dorëzoi postin Lührmann-it, pas formimit të koalicionit të ri, kur Ministria e Jashtme gjermane kaloi në dorë të të Gjelbërve.

Edhe Lührmann pritet të jetë avokate e fortë e rajonit në BE, por gjithashtu të adresojë në biseda dypalëshe problemet e mundshme. Një nga çështjet që do të jetë temë e bisedimeve me shoqërinë civile në Tiranë është mbrojtja e klimës, i thanë DW burime të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy vendet e para, pas Francës në dhjetor, që ministrja gjermane e Evropës i viziton që kur ka ardhur në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar. Një dëshmi kjo, që qeveria e re mes të gjelbërve, socialdemokratëve dhe liberalëve, sikurse e ka shprehur dhe në marrëveshjen e koalicionit, e merr seriozisht perspektivën evropiane të rajonit. Që në pjesëmarrjen e saj të parë në takimin e rregullt të Këshillit të Ministrave të Evropës, që u zhvillua më 14 dhjetor në Bruksel, Lührmann kërkoi fillimin e konferencave ndërqeveritare me dy vendet.

Politikë që në moshën 10-vjeçare

Anna Lührmann është 38-vjeçe dhe emërimi i saj në postin e Ministres së Evropës, një post ky pa portofol, ishte vendim i ministres së Jashtme Annalena Baerbock. Më parë ka qenë profesore në Gëteborg, por politikën e nisi në moshë të re. Në vitin 2002, 19-vjeçe ka qenë deputetja më e re në moshë e Bundestag-ut. Në një intervistë, tregonte se kishte marrë pjesë në diskutime politike që në moshën 10-vjeçare.