Bota

Gjermania përgatitet të nisë vaksinimin kundër koronavirusit para fundit të vitit

Plotësohet numri i 30 mijë vullnetarëve për fazën e tretë të eksperimentimit të vaksinës anti-COVID, prodhim i kompanisë amerikane “Moderna”. Ndërkaq, Gjermania po përgatitet të nisë vaksinimin kundër koronavirusit përpara fundit të vitit.

Siç shkruan e përditshmja “Bild”, Ministria e Shëndetësisë planifikon të krijojë 60 qendra vaksinimi, për t’u siguruar që vaksinat të ruhen në temperaturën e duhur, dhe u ka kërkuar 16 landeve federale të vendit që t’i japin adresat për to deri më 10 nëntor. Në një video-konferencë këtë javë, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, i cili edhe vetë është diagnostikuar me koronavirus, ka thënë se kompania ‘BioNTech’ e Gjermanisë është afër miratimit të vaksinës së saj.

Vendndodhjet e këtyre qendrave duhet të përcaktohen deri më 10 Nëntor. Kompania gjermane ‘BioNTech’ po zhvillon vaksinën në partneritet me kompaninë amerikane ‘Pfizer Inc’.

Rikujtojmë se muajin e kaluar, Gjermania ka ndarë 745 milionë dollarë financim për firmat bioteknologjike, BioNTech dhe CureVac, për të shpejtuar punën në vaksinat kundër koronavirusit dhe për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit gjerman.