Rajoni

Pozicionohet Gjermania: Jemi kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan

Gjermania kundërshton çdo ide apo propozim për ndryshim të kufijve në rajon. Deklarata u bë sot deklaruar të hënën në Berlin ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas pas një takimi që ka pasur me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ky është një dokument non-paper, jo një dokument zyrtar. Ne nuk kemi nevojë të merremi më tej me të. Nuk ka pjesëmarrje të Gjermanisë, në ndonjë non-paper, nëse ka zëra për këtë, ato janë lajme të rreme. Për politikën e jashtme gjermane, baza e politikës sonë për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë që ne të mos ndërhyjmë në kufij, ka deklaruar Maas.

Shefi i diplomacisë gjermane ka thënë se çdo ndryshim i kufijve, kudo, do të ketë një ndikim në të gjithë rajonin dhe do të ketë pasoja negative për të gjithë rajonin.

Këtë në të kaluarën e kemi refuzuar, edhe tani e hedhim poshtë, edhe në të ardhmen do ta refuzojmë plotësisht u shpreh Maas.

Edhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka hedhur poshtë idetë për ndarje, duke i vlerësuar të rrezikshme ndërsa ka theksuar se integrimi evropian i rajonit nuk ka alternativë.

Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha kriteret, e ka përfshirë 45% të legjislacionit evropian në atë vendas, 95% e politikës sonë të jashtme është harmonizuar me politikën e përbashkët të sigurisë, i kemi përmbushur kriteret ekonomike dhe politike të anëtarësimit. Prandaj nuk shohim arsye pse Maqedonia e Veriut duhet të mbetet mbrapa në këtë proces tha Osmani.

Ministri i Jashtëm gjerman ka thënë se Berlini angazhohet që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të mos ndahen, por t’i fillojnë paralelisht negociatat për anëtarësim në BE.

Gjatë javëve të fundit nga mediat në Ballkan janë publikuar dy dokumente të ashtuquajtura “non-papers”.

I pari është publikuar nga mediat sllovene në të cilën pretendohej se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, një non-paper në të cilën besohet të jetë thënë se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar.

Tjetri është publikuar nga gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë, për të cilin është thënë të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca, si iniciativë për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.

Në këtë dokument thuhej se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.