Rajoni

Gjermania: Tregu rajonal do të mundësonte zhvillim!

I dërguari i posaçëm i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se “Gjermania është ndër partnerët kryesorë të Kosovës, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht, sepse beson në të ardhmen dhe potencialin që ka vendi”. Sarrazin theksoi:

Kosova duhet të krijojë parakushte për më shumë investime dhe bëri thirrje që të punohet për një treg të përbashkët rajonal, i cili do të mundësonte zhvillim.

Zyrtari i Gjermanisë i bëri komentet në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në Prishtinë, në bashkëpunim me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane.

Të gjitha ekonomitë në Ballkan nuk janë një treg i mjaftueshëm që të vijë një kompani. Shumë investitorë shkojnë në Serbi. Duan të investojnë atje dhe të bëjnë biznes me të gjithë rajonin. E ne duam që kjo të ndryshojë, duam që investitorët të vijnë në Kosovë dhe të krijohet një treg i përbashkët rajonal, tha Sarrazin.

Unë nuk di ndonjë investitor nga Gjermania që është duke investuar në ndonjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që nuk shikon potencialin e vendeve fqinje në të gjithë rajonin.

Javët e fundit, Sarrazin ishte i zëshëm në thirrjet drejtuar Kosovës për të hequr ndalesën ndaj importit të mallrave të prodhuara në Serbi. Kjo ndalesë është në fuqi prej më shumë se një viti, për “arsye sigurie”, sipas qeverisë së Kosovës.

Sipas Sarrazinit, po ashtu është në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), pjesë e së cilës është edhe Kosova. Për pasojë, më herët ai ka përmendur edhe mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga CEFTA.

Në hapje të forumit në Prishtinë, po ashtu foli edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se gjatë katër viteve të fundit qeverisjeje, në Kosovë ka pasur një rritje ekonomike e të punësimit.

Në fillim të këtij viti, edhe Banka Botërore parashikoi rritje ekonomike në Kosovë me 3.9% krahasuar me 3.2% vitin e kaluar.