Bota

Gjermania ul TVSH-në e gazit!

Me shumicë votash, Parlamenti gjerman miratoi uljen e përkohshme të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për gazin. Votave të maxhorancës së koalicionit tre-partiak të qendrës së majtë, iu shtuan edhe ato të grupeve parlamentare  CDU/CSU e AfD. Vetëm e Majta abstenoi. Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner:

Ne përdorim fuqinë tonë ekonomike për të mbrojtur prosperitetin e vendit.

Ai akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin se “dëshiron të shkundë ekonomitë e vendeve perëndimore me një “luftë energjetike”, në mënyrë që t’i dobësojë nga brenda”.

Putin do të dështojë në këtë qëllim!

Norma e TVSH-së për furnizimet përmes rrjetit të gazit natyror do të ulet nga 19, në 7 për qind, për një periudhë të kufizuar nga sot e deri në fund të marsit 2024. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për ngrohjen qendrore, me të cilën furnizohet një pjesë e mirë e apartamenteve në Gjermani.

Lindner tha se “shteti nuk duhet të jetë përfitues nga çmimet e rritura të energjisë”. Teksa shpjegoi se përse po i qëndron uljes së tatimeve, kujtoi se edhe me këtë ulje, çmimet e gazit e të energjisë do të vijojnë të rëndojnë xhepin e konsumatorëve.

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë i CDU-së, Mathias Middelberg deklaroi:

Ulja e taksës së shitjes për gazin është e saktë. Por, do të kishte qenë më mirë sikur koalicioni të arrinte më herët në këtë konstatim.

Middelberg kritikoi faktin se paketa prej 200 miliardë eurosh, e planifikuar nga qeveria, deri tani nuk është veçse një borxh.

Mbetet plotësisht e paqartë se çfarë doni të financoni me të!

Deputetët nga SPD dhe të Gjelbërit hodhën poshtë akuzat. Politikania e të Gjelbërve, Katharina Beck theksoi se “ulja e taksave duhet parë si pjesë e një koncepti më të madh”. Kjo përfshin edhe heqjen e fitimeve të tepërta nga kompanitë energjetike, çka po negociohet në Bruksel.

Dy ditë më parë, qeveria gjermane bëri të ditur se do të vërë 200 miliardë euro në dispozicion, për të sfumuar efektet ekonomike dhe sociale të rritjes së çmimit të energjisë. Një komision ekspertësh po shqyrton se çfarë masash do të merren konkretisht. Rezultatet pritet të prezantohen në mes të tetorit.