Aktualitet Politikë

Gjiknuri: “Kandidati për president do të jetë shumë dinjitoz!”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi sot se do të jetë shumë “dinjitoz”, kandidati për President i Republikës, i propozuar nga maxhoranca.

Emri i Presidentit do të diskutohet sot në Kryesinë e PS-së, ku natyrshëm është marrë opinioni dhe i deputetëve, por patjetër, grupi negociator e kryetari i partisë kanë zhvilluar konsultime edhe më të ngushta në lidhje me profilin e  duhur që do t’i duhej vendit në këtë moment. Për të krijuar atë kontrastin aq të nevojshëm për rikthimin e legjitimitetit moral të institucionit të Presidentit, që është figura e Presidentit që qëndron mbi palët dhe respekton Kushtetutën.

Të gjithë emrat janë në konsideratë, por natyrshëm grupi negociator dhe kryesia e PS-së, sot marrin një vendim në lidhje me propozimin përkatës. Më vonë do t’i kalojë grupit parlamentar, ku do të bëhet një diskutim. Natyrshëm që do t’i nënshtrohet procesit të votimit e ne shpresojmë dhe jemi të bindur që do të kemi një President të zgjedhur shumë shpejt.

Gjiknuri nuk përmendi emra.

Emrat kanë qenë diskutim i brendshëm. Për aq kohë sa për emra flitet brenda një rrethi të mbyllur politik dhe kështu duhet të jetë, se nuk është e thjeshtë të luash me emra.

Opozita nuk ishte e aftë që brenda vetes të diskutonte për emrat dhe të ulej në negociatë, pa pasur nevojë për të bërë publikë emra. Bërja publikë e emrave, shpesh dëmton procesin dhe vetë individët, të cilët kanë emra të lidhur me ta.

Mendoj se s’do ishte etike nga ana ime dhe për aq kohë sa jemi brenda një forumi të PS-së dhe është forumi më i lartë. Mendoj se aty do të diskutohen të gjithë emrat, që kanë dalë nga diskutimet, janë hedhur nga deputetët, qoftë nga diskutime të nivelit më të lartë tek kryetari i PS-së.

Damian Gjiknuri kërkoi nga gazetarët të mos tregohen të padurueshëm për emrat.

Pas mbledhjes së Kryesisë, sot pasdite në selinë e PS-së do të mësoni edhe kandidatin, që jam i bindur që do të jetë një kandidat shumë dinjitoz, që do ta bëjë siç duhet detyrën e Presidentit, jo modeli që kemi parë gjithë këto vite.

Për sjelljen e opozitës, u shpreh se “fatkeqësisht preferuan më shumë konfrontimin para mediave që do ta quaja një lloj diplomacie megafoni sesa negociata konkrete për emra konkretë. Praktikisht është një shans i humbur nga ana e opozitës”.