Aktualitet Sport

Gjithçka gati për spektaklin madhështor të “Euro 2020”

Hapen dyert e stadiumit “Olimpico” për rreth 16 mijë tifozët që pritet të jenë prezentë, ne ndeshjen hapëse të Euro 2020 , Itali -Turqi. Pritet që të ketë një ceremoni spektakolare, me performanca muzikore  si dhe shfaqje aeronautike!

Ata që do të presin tifozët përpara se të kalojnë dyert për në impiant do të jenë dy ndër ikonat e futbollist kryeqytetas, Françesko Toti dhe Alesandro Nesta, respektivisht ish-kapitenët e Romës dhe Lacios.

Dy kampionët e botës do të prijnë turmën dhe do të ndjekin një trajektore të një topi futbolli që dy kampionët e botës në vitin 2006 do të lëshojnë në qiell së bashku me 14-16 mijë spektatorët. Në të njëjtën kohë mbi kokat e tyre dhe mbi qiellin e stadiumit “Olimpico” do të kalojnë me shpejtësi dhe me lëvizje akrobatike “Shigjetat Trengjyrëshe”, skuadra ushtarake e forcave ajrore, e cila do të ngjyrosë qiellin me flamurin italian.

Më pas, spektakli do të vazhdojë në ekranet gjigante që janë vendosur në “Olimpico” në të cilat, por edhe në televizionet e të gjithë botës do të xhirojnë pak përpara nisjes së Itali-Turqi emocionet e 60 viteve të Europianit, një udhëtim mes kujtimesh fantastike…

Ndërkohë, në fushën e lojës nuk do të mungojë kurrsesi dhe banda muzikore e Policisë së Shtetit italian, me uniformën historike, të cilët teksa do të luajnë notat e tyre, do të shohin në të njëjtën kohë edhe ngritjen në qiell të 24 topave gjigantë, në të cilët është simboli i çdo kombëtareje pjesëmarrëse në “Euro 2020”.

Ata do të sfilojnë përkrah edhe rojeve të nderit të policisë, mbi kuajt, të cilët do të sillen në skenë nga balerinë dhe atletët e rinj të grupit sportiv “Flakët e Arta”. Pasi të lihen fillimisht të lirë që të fluturojnë në qiell, topat gjigantë “të armatosur” me një sistem special të motorizuar, i cili do t’i komandojë që edhe të ngrihen e të ulen në sinkron me muzikën, do të krijojnë një koreografi vertikale mbi fushë.

Akti i radhës dhe final parashikon prezencën e Andrea Boçelit, i cili do të këndojë arien e Turandotit, “Askush të mos flejë”, ndërsa 24 topat gjigantë do të krijojnë një top të vetëm, si simbol për shpitin e bashkuar të “Euro 2020”, gjatë kësaj periudhe ende të vështirë për botën, përpara se në qiell të shpërthejnë edhe fishekzjarrë shumëngjyrësh, mbi çatinë e stadiumit “Olimpico”.