Sport

Gjithçka gati për Tirana-Partizani, publikohen formacionet zyrtare!

Tirana dhe Partizani luajnë sot në 20:00 për javën e 15-të në Superligë. Në ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit, afro 12 mijë bileta janë të shitura dhe “Air Albania” në kryeqytet pritet të kthehet në një ambient feste. Trajnerët Orges Shehi dhe Giovanni Colella kanë bërë me dije edhe formacionet zyrtare në këtë përballje.

Statistika/ Tirana dhe Partizani kanë luajtur 167 ndeshje në histori me njëra-tjetrën në të gjitha kompeticionet, me të kuqtë që kanë një epërsi të lehtë me 68 fitore. Tirana ka fituar 47, ndërsa 52 sfida kanë përfunduar në barazim. “Demat e Kuq” kanë shënuar 225 gola, ndërsa Tirana ka arritur të realizojë 182 gola.

Ndeshja e parë në këtë kampionat u fitua 2-0 nga skuadra e Tiranës me dopietën e Redon Xhixhës. Trajneri Orges Shehi është garanci për skuadrën bardheblu. Në 7 ndeshjet e fundit ka fituar 4, ka barazuar 2 dhe ka humbur vetëm të parën. Bardheblutë kanë shënuar 23 gola, ndërsa Partizani 19. Redon Xhixha është golashënuesi më i mirë me 11 gola, ndërsa Skuka e ndjek me 9 të tillë. Kjo është ndeshja e 4 që Tirana do të luajë në “Air Albania” këtë sezon. Tri të parat i ka fituar, pikërisht ndaj Partizanit, Vllaznisë në Superkupë dhe Kastriotit.

Pas 14 javësh këtë sezon Partizani është në krye të renditjes me 26 pikë, një më shumë se Tirana që ndjek në vendin e dytë.

Formacionet zyrtare:

Tirana: Bekaj, Lulaj, Najdovski, Aleksi, Ismailgeci, Kallaku, Deliu, Limaj, Hasani, Patrick, Xhixha Trajner: Orges Shehi

Partizani: Hoxha, Buxhelaj, Bitri, Sota, Hadroj, Rrapaj, Murataj, Hoti, Matondo, Cara, Skuka Trajner: Giovanni Colella