Bota

Gjithçka për Ukrainën, 14-vjeçari nxjerr në ankand fanellën me autograf të Cristiano Ronaldos!

Një djalë 14-vjeçar ukrainas, ka vendosur të nxjerrë në ankand fanellën me autograf të Cristiano Ronaldos, të veshur nga futbollisti gjatë një ndeshjeje mes Portugalisë dhe Ukrainës, e vlefshme për kualifikimin në Euro 2020, sipas mediave të huaja. Bluza u shit për rreth 2,200 euro dhe të ardhurat do t’i dhurohen forcave të mbrojtjes ukrainase që luftojnë me ushtrinë ruse në rajonin Ciscarpatia, në perëndim të vendit.

Fanella u ble nga një shtetas amerikan. Lajmin e dha Qendra Koordinuese “Save Ukraine Now” përmes faqeve të saj sociale, e cila ka qenë aktive për disa kohë në mbledhjen e fondeve, për të ofruar pajisje dhe nevoja themelore për forcat e armatosura të Ukrainës, të dislokuara gjatë gjithë frontit të luftës.

Në fund të ankandit, vetë Cristiano Ronaldo dërgoi një mesazh shprese: “Shpresoj që uniforma ime të ndihmojë të rinjtë të kenë një të ardhme më të mirë. Lutem për paqe.”-tha ai. Rikujtojmë, se çmimi Nobel i Paqes i nxjerrë në ankand nga gazetari rus, Dmitry Muratov, për të mbledhur para për fëmijët refugjatë ukrainas u shit në New York së fundmi, për 103.5 milionë dollarë, duke thyer rekordin e vjetër për një Nobel. Të ardhurat do t’i shkojnë drejtpërdrejt UNICEF-it në përpjekje për të ndihmuar fëmijët e zhvendosur nga lufta në Ukrainë.

Sjellim në vëmendje gjithashtu se një vajzë nëntë vjeçare nga Ukraina preu flokët e saj dhe i shiti për të mbledhur para për forcat e armatosura të vendit të saj, të cilët po përballen me ato ruse. Kira Hubina, nga qyteti verior i Ukrainës, Chernihiv, vendosi të mbledhë para për luftëtarët e vendit pasi ajo dhe familja e saj ndodhen në një vendstrehim për t’u mbrojtur nga bombardimet ruse.