Celebrities Film & Tv Gossip Pardon My French Showbiz

Gjithçka rreth eksperiencës së tyre në “Dancing With The Stars”, Deborah dhe Niko e zbulojnë ekskluzivisht në TAR!

Të ftuar në emisionin “Pardon My French” ditën e sotme kanë qenë Deborah Keçi dhe Niko Spiro, çifti i cili javës që kaloi përfundoi rrugëtimin në spektaklin “Dancing With The Stars”. Ata arritën që për shtatë javë të provonin disa disiplina të ndryshme kërcimi dhe të jepnin makismumin e tyre me performancat dhe padjeshkat e vështira.

Si është tani ‘post-Dancing’ për Deborah?

Jemi në një javë që edhe ne nuk kemi folur shumë. Kam përshtypjen se me kalimin e kohës, dy tre ditët e para pas daljes jemi rikthyer tek familjarët, tek punët tona por besoj që me Nikon përveç se partner edhe kemi ndarë këtë rrugëtim shumë të bukur besoj që kam gjetur edhe një shok shumë të mirë dhe pse jam shumë e sigurtë që shoqëria jonë do të vazhdojë edhe më tutje edhe pse jo me një projekt aty – këtu. 

Për Deborah Keçin si ishte e gjithë eksperienca e “Dancing With The Stars” ?

Eksperiencë shumë e bukur, shumë e veçantë ndryshe nga çfarëdolloj gjëje tjetër që unë jam mësuar të bëj. 

Si e ka pritur ajo ftesën për t’u bërë pjesë e kastit?

Përgjigjja e parë ka qenë ‘Jo’ sepse unë nuk di të kërcej edhe bëj shumë pak gjëra në jetë. Ato që kam i bëj shumë mirë dhe kam shumë bezdi të marr përsipër gjëra që nuk jam e mirë për t’i bërë. Gjithmonë jam me parimin pak dhe saktë. Kërcimi qartazi nuk ka qenë nga ato gjëra që unë as e kam qejf, as nuk di të kërcej dhe nuk e kam ndonjë pasion. Në familjen time gjithmonë njeriu artistik ka qenë motra ime, violiniste, këngëtare, artiste pra ai shpirti artistik i familjes. Unë kam qenë një njeri i prerë me objektiva të qarta, kam bërë sport dhe kam qëndruar tek sporti dhe shkollimi, nuk kam pasur shumë talente dhe gjithmonë e them që unë jam një nga ata njerëzit pa talente. Sporti nuk është talent, është punë. Unë them që talente të lindura janë ato për të kënduar, veshi i muzikës, për të pikturuar. 

Sa e vështirë ka qenë për Nikon realizimi i padjeshkave dhe mbajtja e Deborah-s gjatë kërcimeve?

Të them të drejtën puntatat e para kanë qenë goxha problem. Deborah-n e ka ndihmuar goxha sporti për pjesën e padjeshkave por ajo është e ngurtë dhe në momentin që dikush nuk di të mbajë peshën e trupit e lëshon komplet peshën dhe në fillim ishte problem, por më pas muskulatura ime  e krijoi atë memorien e peshës së Deborah-s dhe për mua nuk ishte më problem fare ishte çdo gjë perfekt.

Si e përjetoi Niko këtë eksperiencë në “Dancing With The Stars”?

Të them të drejtën në fillim unë nuk e pranova si kërkesë, pastaj e mendova dhe thashë pse jo, do të jetë një benefit më i mirë për emrin, për punë dhe për të gjitha. Ka shumë njerëz që Nikon e njohin por ka edhe shumë njerëz që nuk e njohin. Mendova pse mos të jem? Është realisht një mundësi shumë e mirë për ne që kërcejmë. E pranova me kënaqësinë më të madhe. 

Deborah më pas ka treguar se me Nikon është njohur që në verë në një dasëm të përbashkët të shoqes së saj të ngushtë të cilës Niko i kishte krijuar koreografinë. Deborah vijoi duke treguar:

Ka qenë data 22 Korrik dhe për herë të parë i kam thënë që unë nuk di të hedh valle. Unë nuk kisha hedhur asnjëherë valle në jetë edhe ishin munduar shumë njerëz për të ma mësuar por jo të gjithë e kanë atë qetësinë e duhur. Më pas kompleksohesh, e shikon që nuk e bën dot një herë, dy herë dhe pastaj thua lëre fare. Niko me atë qetësinë e vet më tha që do ma mësojë. Unë mësoj në moshën 30-vjeçare të kërcej pogonishte. 

Cilin nga kërcimet i ka pëlqyer më shumë Deborah-s?

Kam shijuar më shumë tango-n dhe ‘jive’-in. Unë kam përshtypjen që Deborah rrinte më mirë tek kërcimet standarte dhe jo ato latine. 

Deborah ka shtuar se:

Një nga arsyet se pse unë pranova ftesën në “Dancing With The Stars” ishte për të treguar që ndonjëherë edhe nëse nuk je njeriu më i talentuar me punë arrihet dhe besoj që kam arritur diçka. Unë e kam thënë shpesh që kam shumë besim tek puna dhe vullneti për t’i arritur gjërat.