Design Travel

Gjithçka rreth qytetit Çanakkale, aty ku qëndron një model i kalit mitologjik të Trojës!

Një kalë i madh prej druri qëndron në qendër të Çanakkale-s, një qytet i vogël në jugperëndim të Stambollit në Turqi. Ai është një model i kalit mitologjik të Trojës, që u përdor në filmin e vitit 2004 “Troy” dhe iu dhurua më pas qytetit. Statuja dhe elemente të tjera që lidhen me kulturën trojane janë të shpërndara nëpër të gjithë qytetin. Qyteti i Çanakkale-s është një vend i gjallë dhe shumë i bukur. Tragetet nuk ndalojnë së lundruari, plot me vizitorë që eksplorojnë rrugët me kalldrëm të lagjeve të vjetra.

Kafenetë, baret, dyqanet dhe qebaptoret janë çdo ditë mbushur me turistë dhe studentë. Në netët e nxehta të verës, shitësit ambulantë pushtojnë pedonalen. Këto dhe shumë atraksione të tjera janë arsye të mjaftueshme për të vizituar qytetin, por më e famshmja është padyshim zona e Trojës, vetëm 20 minuta larg. Po të vizitoni Trojën do të shihni edhe një model të dytë të Kalit të Trojës në hyrje.

Prej andej, nis një shteg i gjatë, ku mund të admironi rrugët dhe muret e lashta prej guri të Trojës, shumë prej të cilave janë ruajtur ose restauruar në mënyrë mbresëlënëse. Në disa pika mund të shihen ujërat e detit Egje. Nëse mitet janë të vërteta, pikërisht në këtë shtrirje midis mureve të qytetit dhe detit, ndodhi rrethimi i Trojës. Troja qëndronte në një pozicion gjeografik perfekt.

Kontrollonte hyrjen në ngushticën e Dardaneleve, që lidh Egjeun me Detin Marmara dhe Detin e Zi, si dhe ishte e vendosur në një rrugëkalim të lehtë tokësor, midis Evropës Kontinentale dhe Azisë. Për shkak të kësaj, kishte një konkurrencë të ashpër midis vendeve që donin ta kontrollonin atë.

Ajo që ne sot e quajmë Troja është në fakt një vend ku kanë jetuar gjatë mijëvjeçarëve popuj dhe qytetërime të shumta. Një vizitë në Tojë do t’ju ngjallë ndjesinë se po jetoni epikat homerike. Ju mund të shikoni muret ku, sipas legjendës, Akili luftoi me Hektorin. Ju do të ecni mbi gurë që ndoshta janë shkelur nga disa prej personazheve kryesore të mitologjisë; Agamemnoni dhe Priami, Helena dhe Kasandra, Paridi etj.