Aktualitet

GJKKO dënon me dy vjet burg Adriatik Llallën!

Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla dënohet me dy vite burg dhe për pesë vite i hiqet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO vendosi sot ta cilësojë “fajtor” ish-Prokurorin e Përgjithshëm për akuzën e “Deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë”, që do t’i sekuestrohet. Eshtë fjala për katër sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrorë dhe një apartament në Durrës.

Ky është vendimi i parë që GJKKO-ja, e ngritur në kuadër të Reformës në Drejtësi, firmos ndaj një ish-zyrtari të lartë. Llalla dëgjoi në heshtje verdiktin i shoqëruar nga avokati në seancën ku mësohet se kishte edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane. Ndërkaq, fjalën e fundit e ka Apeli.

Hetimi u hap pas largimit të tij si Prokuror i Përgjithshëm. Llalla doli nga sistemi duke mos iu nënshtruar vetting-ut. Dosja kaloi në disa prokurori pasi të përfundonte në SPAK.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017 kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Fillimisht, hetimi ndaj tij u regjistrua nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018, nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “Mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.