Aktualitet

GJKKO lë në burg Lefter Allën, kryebashkiaku i Bulqizës: Akuza politike!

GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën “Arrest me burg” për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla, shtatë zyrtarë dhe tre përfaqësues kompanish. Dy të tjerë u lanë në “Arrest shtëpie”. Lidhur me dyshimet për abuzimin në vlerë 322 milion lekë me tenderin e Ujësjellësit, SPAK përgjoi bisedat e kryebashkiakut të Bulqizës me biznesmenin që akuzohet se favorizoi. Alla reagoi duke i quajtur akuzat “politike”.

Arrestimi im është politik, nuk kam kryer shkelje te ligjit. Më mirë të më kërkonin të ikja, se do kisha ikur.

Të arrestuarit:

Lefter Alla, kryetari i Bashkisë Bulqizë

Enkeleda Lleshi, nënkryetarja e Bashkisë

Rubin Kola

Erion Isaku

Leonard Daci

Arseb Gjoka

Kujtim Zogu

Denis Xholi

Rasim Daci

Dalo Gazidedja

Aqif Konesha

Kastriot Ibrahimaj (Arrest shtëpie)

Ana Nishku (Arrest shtëpie)

Avokati i kryebashkiakut Alla reagoi pasi u dha masa e sigurisë “Arrest me burg”.

Lefter Alla ka qenë biznesmen i suksesshëm edhe para marrjes së detyrës në krye të Bashkisë Bulqizë, nuk ka ndërhyrë në ndonjë tender me vlerë 3 milion euro. Edhe në Bulqizë ka jetë. Por, nëse ai popull është pa bukë, le të ngelë edhe pa atë kanal, edhe pa ujë. 90 për qind e punimeve janë kryer. Nuk ka hetuar fare Prokuroria si është puna në terren. Mos paragjykojmë e të vijojnë hetimet.

Për SPAK-un, “gjatë procedurës së prokurimit publik me procedurë të hapur me objekt “Ndërtimi i rrjetit të furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë dhe punonjësit e tjerë, si specialistë të prokurimeve, anëtarët e KVO-ve kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk. Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë”.