Aktualitet

Gjobat gjatë pandemisë, projektligji për faljen e tyre mbërrin në Kuvend!

Projektligji që synon faljen e gjobave për shkelësit e masave të vendosura gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 është proceduar në Kuvend pa përkrahjen e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Katër anëtarë votuan kundër këtij Projektligji, kurse tre pro.

E shqyrtimi i këtij projektligji në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shëndetësi përplasi pozitën me opozitën. Derisa partia në pushtet e kundërshtoi këtë projektligj duke e konsideruar diskriminues, opozita e mbështeti atë.

Propozuesi i këtij projektligji, Nol Nushi adresoi kritika për Kuvendin e Kosovës për trajtimin me vonesë të kësaj iniciative ligjore.

“Projektligji është dorëzuar në qershor të vitit 2021, sot jemi në tetor të vitit 2022, 15 muaj pas dorëzimit të këtij projektligji në Kuvend po e trajtojmë për herë të parë. Këtë e kam si kritikë për vonesat e paarsyeshme të institucioneve në trajtimin e një projektligji që ka vetëm 5 faqe. Për ta trajtuar këtë projektligj ka pasur nevojë ka shumë është end po besoj nëpër procedura burokratike totalisht pa nevojë dhe është dekurajuese për qytetarët e Kosovës të cilët kanë propozime tjera për projektligje”, tha ai.

Nushi tha se falja e gjobave nuk vlen për bizneset e mëdha dhe vetë partitë politike që e shkelën Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid 19.

Po ashtu, ai theksoi se vetëm nga Policia e Kosovës janë shqiptuar 329 mijë gjoba për mos respektim të masave anti Covid.

“Ai ligj që ka dal, ka dal si pasojë e votimit në Kuvend mirëpo shkelja flagrante e atij ligji që ndodh pikërisht prej partive të Kuvendit në fushatën e famshme të vitit 2021 na ka nxit neve si qytetarë të reagojmë ndaj kësaj padrejtësie dhe të kërkojmë faljen e përgjithshme të gjobave të shqiptuara në emër të këtij ligji. Me këtë ligj që është para jush përjashtohen bizneset e mëdha, nuk përjashtohen bizneset e vogla dhe të mesme, atyre duhet tu falen… Po ashtu përjashtohen nga falja edhe partitë politike që janë zënë në shkelje flagrante të ligjit… Sot kam marr nga Policia të dhënat që janë në emër të këtij ligji: janë shqiptuar 329 mijë gjoba. Pra po flasim gati ¼ e popullsisë në Kosovë është dënuar në emër të këtij ligji dhe në disa matje që janë bërë jemi vendi me më së shumti dënime për kokë banori. Unë dua të kërkoj ndihmën tuaj që ky projektligj të avancohet në procedurat e tyre në mënyrë të shpejtuar edhe të përmirësohet me atë sa keni mundësi por jo të ndërrohet”, tha Nushi.

Por, kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku e konsideroi se projektligj ka humbur kuptimin. Madje ajo vlerësoi se me faljen e gjobave për ata që kanë shkel masat anti Covid bëhet një precedent i rrezikshëm për shëndetin publik.

“Ky ligj tani e ka humbur edhe kuptimin e vet, qytetarët nuk mund t’i ndajmë në të përgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, ata që janë përgjigjur kanë qenë të vetëdijshëm që i kanë shkelur edhe ligjet që ishin aktuale në fuqi dhe të gjitha vendimet që janë të obliguara… Duhet ta mbrojmë shtetin ligjor dhe mos të krijojmë precedane të rrezikshme kur kemi kriza të tilla kur janë në shëndet publik, ne mund të themi se ende nuk është mbyllur epidemia por nuk mund të themi se nuk do të kemi situata të ngjashme”, theksoi ajo.

Mendim të njëjtë me Kollçakun ndau edhe deputeti nga radhët e LVV-së, Burim Meta.

“Mendoj që janë dënuar të gjithë ata të cilët kanë shkelur ligjin, ne sot edhe në komunikacion kemi ndonjëherë tolerime të tilla të ndonjë polici edhe ndaj qytetarëve… Mendoj që nuk duhet të mbështeten ata qytetarë që kanë shkelur ligjin për shkak se as ne asnjëherë nuk jemi të sigurt se në ditët në vijim nuk do të kemi në vitet e ardhshme pandemi të tilla”, theksoi ai.

Por mbështetje për Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë Covid-19 ofruan partitë opozitare PDK dhe AAK.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu vonesat për procedim të këtij Projektligji në Kuvend i ka konsideruar të kundërligjshme.

Haxhiu konsideron se gjobat kanë qenë selektive dhe janë gjobitur vetëm qytetarët, ndërsa janë amnistuar politikanët.

“Kushdo dhe sa do që e ka mbajtur nëpër sirtarët e zyrave të tyre në Kuvendin e Kosovës ka bërë shkelje ligjore… Ka nevojë që ky ligj të trajtohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit dhe të analizohet drejtë dhe mirë efekti i këtij ligji sot në kohë krize. Ka filluar për shkak të krizës së pandemisë dhe se gjobat nuk kanë qenë për të gjithë njësoj, janë ndëshkuar qytetarët e janë amnistuar politikanët. Prandaj, ka nevojë që ky ligj të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe të jetë mbështetje për qytetarët sepse tani më nuk ka rrezik që nëse largohen gjobat do të ndikojë në rritjen e pandemisë… Besa, nëse e krahasojmë vitin 2021 me vitin 2020 vlen të theksohet se më mirë kemi kaluar në vitin 2022 kur nuk ka pasur masa e veprime të qeverisë e pothuajse nuk kemi pas as ministër të Shëndetësisë, sesa në vitin 2021 kur kemi pasur masa e ministra e deklarime të përditshme”, theksoi ai.

Edhe deputeti nga AAK-ja, Shemsedin Dreshaj u shpreh pro projektligjit që synon faljen e gjobave të vendosura nga institucionet për mos respektim të masave anti-COVID.

“Derisa kemi implementim selektiv të ligjit COVID-19 në veçanti në raport me gjoba edhe unë jam pjesë e politikës edhe unë kam marr pjesë në kampanjën zgjedhore edhe unë kam marr pjesë në tubime ku në një tubim edhe jemi dënuar ku si kemi respektuar të gjitha partitë politike, por për zotin ka pas plotë prej juve që jeni të pranishëm e të cilët keni marr pjesë edhe nëpër oda dhe nuk keni respektuar asnjë masë dhe nuk jenë të ndëshkuar dhe unë nuk jam ndëshkuar. Pra, kur të kanë zënë të kanë ndëshkuar, kur nuk të kanë zënë ke kaluar… Për gabime të njëjta kemi veprime të ndryshme, për obligime të njëjta të cilat e obligojnë qeverinë kemi veprime të ndryshme ndaj ky ligj është i kontestuar. Bazuar në këtë, unë rekomandoj që si pozitë dhe opozitë të bëhemi së bashku dhe këtë ligj ta ngrehim në cilësi dhe ta gjejmë një modalitet si të veprojmë që nesër një situatë e tillë të mos na përsëritet”, theksoi ai.

Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë Covid 19 është iniciativë e qytetarëve të Kosovës si lloj peticioni i cili ishte nënshkruar nga mbi 11 mijë qytetarë.

E në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid 19 ishin paraparë gjoba për të gjithë ata që shkelnin masat anti Covid.