Art & Kulturë Çdo gjë është ashtu si duket

Gjuha e arkitekturës dhe reflektimi mbi ndryshimet në Tiranë sjellë në veprën “Identitete Pluskuese”!

Ky episod i “Çdo gjë është ashtu si duket” me Anna Shkrelin, solli vëmendjen tek libri “Identitete Pluskuese” nga Arba Baxhaku. Ky libër synon të gjurmojë një vazhdimësi mes arkitekturës së traditës shqiptare dhe karakterit informal të transformimeve spontane të qytetit të Tiranës bashkëkohore.

Vetë autorja e kësaj vepre shprehet se ky libër gjurmon vazhdimësinë mes arkitekturës tradicionale shqiptare dhe karakterit informal të shfigurimeve spontane të Tiranës. Në këtë libër portretizohet liria konstruktive e dekadave të fundit e cila bëhet për të siguruar një lexim kritik i cili të mund t’i aplikohet ndërhyrjeve dhe rimëkëmbjes së arkitekturës ekzistuese.

Përpjekja për të vendosur një lidhje midis tipareve të kundërta të formalizmit funksionalist, tipike për qytetin që u rrit gjatë regjimeve totalitare dhe atyre të arkitekturës informale, që përfaqësojnë lirinë konstruktive të kohëve të fundit, synon të japë një interpretim kritik që është i zbatueshëm për ndërhyrjet e fundit për rikuperimin e trashëgimisë së ndërtuar ekzistuese. Libri është dygjuhësh, anglisht-shqip.

Që kryeqyteti është shndërruar këto 30 vitet e fundit kjo nuk është më diçka e panjohur. Ata që jetojnë e nuk jetojnë këtu e bëjnë dallimin qartë që në sheshin qendror, atë që dikur e shihnim edhe në kartolina me imazhe. Sheshi nuk është më i njëjti. Tirana gjithashtu. Po si dhe sa ka ndryshuar kryeqyteti këtë na e lexon me gjuhën e arkitekturës Arba Baxhaku me “Identitete Pluskuese”.

Sigurisht nuk i shmangemi dot pyetjeve nëse ky ndryshim ka ardhur për mirë apo e ka shëmtuar Tiranën apo i shërben më mirë qytetarëve të shumtë që zgjedhin kryeqytetin si mundësinë më të mirë për të ndërtuar jetën. Arba Baxhaku nëpërmjet kësaj vepre na njeh me të gjitha shtresëzimet e një  kryeqyteti përmes këtij leximi arkitektonik, por më së shumti duke reflektuar mbi atë çfarë ka ndodhur me Tiranën.