Aktualitet

Gjykata e Elbasanit i jep dritën jeshile ekstradimit në Turqi të Faruk Ozerit/Mashtroi përmes kriptovalutave!

Rreth tre muaj pas arrestimit, Gjykata e Elbasanit vendos ekstradimin në Turqi të shtetasit turk Faruk Ozer. 28-vjeçari akuzohet për mashtrim deri në 2 miliardë dollarë përmes kriptovalutave. Prej shtatorit kur iu caktua masa “Arrest me burg”, seancat gjyqësore u shtynë disa herë, ndërsa mbrojtja kërkoi të shmangej ekstradimi, me pretendimin se në Turqi i rrezikohet jeta.

Sipas sistemit të drejtësisë turke, Ozer mund të dënohet me mbi 400 vjet burg. Ai u prangos në fund të verës në një resort në Palasë, më 30 gusht, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në vendin tonë, jetonte në Elbasan, në një apartament me qira në emër të një shqiptari, ndërsa për pushime, frekuentonte shpesh vendin ku u arrestua, me dy shqiptarë.

Shtetasi Faruk Ozer rezulton i arratisur nga Turqia, prej muajit prill të vitit 2021. Në vendlindje, akuzohet se në bashkëpunim me të tjerë persona ngriti një skemë mashtrimi me anë të krijimit e shitjes së monedhave virtuale përmes kompanisë që vetë ai themeloi duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën që drejtonte e tashmë të mbyllur.

Autoritetet turke i bllokuan llogaritë bankare të kompanisë Thodex ku iu gjetën 16 milion lira. Sipas mediave turke, në momentin kur u largua nga vendi, Faruk Ozer kishte me vete një server ku mbahen 108 milion dollarë në formë kriptomonedhash. Në Turqi janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të 28-vjeçarit, po me akuzën e mashtrimit.