Aktualitet

Gjykata e Korçës merr kompetencën për shqyrtimin e çështjes së Zani Çaushit!

Gjykata e Lartë ka vendosur që gjykata e Korçës të jetë kompetente për të shqyrtuar kërkesën e Myrteza Çaushit për ulje të dënimit. Pra, Gjykata e Korçës është caktuar për të marrë në shqyrtim çështjen e Zanit, i njohur si “i forti i lagjes Çole”, në Vlorë.

Vendimi u mor ditën e sotme, ndërsa në njoftimin zyrtar thuhet:

U zgjidh mosmarrëveshja e kompetencës lëndore ndërmjet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat për shqyrtimin e çështjes me objekt “Ulje dënimi”, duke përcaktuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, si gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes.

Kujtojmë se Myrteza Çaushi është dënuar me burgim të përjetshëm, si kreu i një prej bandave në qytetin e Vlorës, gjatë trazirave të 1997-ës. Në atë vit, Zani gjendej i burgosur në rehabilitim me sigurim të cilësisë së lartë, por arriti të arratisej gjatë një revolte që pati shpërthyer në mjediset e burgut.

Gjithashtu, Çaushi ka qenë i dënuar nga drejtësia në Greqi me 101 vjet burg për vrasje e duket se as arratisja nga burgjet greke nuk e shpëtoi, pasi sot vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e Burrelit, ku ai dhe banda që drejtonte akuzohen për krime monstruoze.

Disa herë ka bërë kërkesë për lirimin me kusht, si dhe për ndryshimin e llojit të sigurisë. Çaushi vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në IEVP, Drenovë.

Ish-kreu i bandës së Vlorës më ‘97-ën, Myrteza (Zani) Caushi, për të disatën herë paraqiti në gjykatë kërkesën për përllogaritjen e ditëve të vuajtjes së dënimit në burg, duke kërkuar ulje. Ai kundërshton disa vendime të Gjykatës së Matit, që i kanë rrëzuar kërkesën për ulje të dënimit.

Sipas ligjit, pas kalimit të një afati të gjatë brenda qelive të burgut, një i dënuar, qoftë dhe me burgim të përjetshëm mund të kërkojë lirim me kusht.