Aktualitet

Gjykata e Lartë, 29 mijë dosje stok! Nga 19 gjyqtarë, gjykata ka aktualisht 15

Gjykata e Lartë shfrytëzoi fundin e vitit për të bërë bilancin jo vetëm për gjyqtarët që japin drejtësi, por edhe qytetarët që presin.

Sfidë për 2023 mbetet sërish stoku i dosjeve, tha zv.kryetari Sokol Sadushi.

“Prej tre vjetësh, fokusi i opinionit publik ka qenë tek ulja e numrit tepër të lartë të çështjeve të prapambetura. Kjo ishte dhe vijon të mbetet një prej sfidave kryesore të trupës së gjyqtarëve. Nga 36.000 çështje që prisnin për tu gjykuar në mars të vitit 2020, sot numri i çështjeve të prapambetura (backlog) është ulur në 29,010, ndërkohë që numri i vendimeve të marra për këtë periudhë është 11.764. Për vitin 2022 janë regjistruar rreth 2,082 çështje të reja. Janë dhënë 6,179 vendime gjyqësore, ose 412 vendime për gjyqtarë, ndërkohë që krahasuar me vitin 2017, kur Gjykata e Lartë kishte përbërje të plotë me 17 gjyqtarë dhe 33 këshilltarë, çdo gjyqtar gjykonte mesatarisht 256 çështje në vit.”- shprehet Sokol Sadushi.

Sfida e dytë lidhet me plotësimin e trupës me 19 anëtarë nga 15 që ka aktualisht.

“Përherë e kemi evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. Rreth 80% e rekurseve të paraqitura rezultojnë të pasuksesshme. E ndarë sipas fushave, nuk kalojnë testin e pranueshmërisë 75% e rekurseve në Kolegjin Civil, 83% në Kolegjin Administrativ dhe 80% në Kolegjin Penal.

Në raportin ndërmjet individëve e personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, kalimi me sukses i testit të pranueshmërisë së rekursit është në favor të të parëve”- shton Sadushi.

Gjykata e Lartë u prek nga stoku jo vetëm për shkak të vettingut, por ky ishte një problem i mbartur ndër vite. Radhët e gjata të dosjeve nga njëra anë dhe qytetarët që presin e presin kanë zbritur edhe në gjykatat e tjera.