Bota

Gjykata e Lartë amerikane nuk pranon të shqyrtojë argumentet e Turqisë për të rrëzuar dy padi

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara refuzoi të hënën të dëgjojë argumentet e Turqisë për të rrëzuar dy padi të ngritura nga demonstruesit që kërkonin dëmshpërblim monetar pasi akuzuan forcat turke të sigurisë për dhunë ndaj tyre gjatë një proteste të vitit 2017 në Uashington, që përkoi me një vizitë të Presidentit Tayyip Erdogan.

Anëtarët e gjykatës hodhën poshtë një apel që kishte bërë Turqia ndaj vendimeve të gjykatave më të ulëta që lejonin vazhdimin e procesit gjyqësor.

Gjykata hodhi kështu poshtë argumentin e aleatit të NATO-s se sipas një ligji federal të quajtur Akti i Imuniteteve të Sovranëve të Huaj, ajo ka imunitet nga një veprim i tillë ligjor në Shtetet e Bashkuara.

Në qendër të çështjes gjyqësore është një përleshje ku anëtarët e ekipit të sigurisë së zotit Erdogan ndërhynë ndaj protestuesve para rezidencës së ambasadorit turk në Uashington më 6 maj 2017. Zoti Erdogan ishte në kryeqytetin amerikan për të takuar Presidentin e atëhershëm Donald Trump. Incidenti acaroi marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Dy padi u ngritën në vitin 2018 – njëra çështje e ngritur nga 15 paditës dhe tjetra nga pesë – që kërkojnë të mbajnë përgjegjëse qeverinë e Turqisë duke kërkuar dëmshpërblim monetar për lëndimet që përfshinin tronditje, konfiskime dhe thyerje dhëmbësh. Sipas dokumenteve të gjykatës, paditësit kërkojnë dhjetëra miliona dollarë.

Akti i Imuniteteve të Sovranëve të Huaj kufizon juridiksionin e gjykatave amerikane mbi paditë kundër qeverive të huaja.

Turqia ka fajësuar për përleshjen demonstruesit e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Shefi i policisë në kryeqytetin amerikan e përshkroi incidentin si një “sulm brutal” ndaj protestuesve paqësorë.

Në Uashington u ngritën akuza për sulme kriminale kundër disa agjentëve turq të sigurisë dhe të tjerëve të përfshirë. Dy nga të pandehurit – jo anëtarë të ekipit të sigurisë së Erdoganit – u deklaruan fajtorë. Prokurorët tërhoqën akuzat kundër 11 agjentëve në vitin 2018.

Administrata e Presidentit Joe Biden i kishte kërkuar Gjykatës së Lartë të mos dëgjonte argumentat e Turqisë për të shmangur paditë, duke thënë se kur personeli i huaj i sigurisë përdor forcë që nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e zyrtarëve, ata veprojnë jashtë detyrës së tyre dhe nuk mbrohen ligjërisht.

Gjykatat e ulëta vendosën kundër Turqisë. Në vitin 2021 Gjykata e Apelit e kryeqytetit Uashington vendosi se ndërsa ekipi turk i sigurisë kishin të drejtë të mbronin zotin Erdogan, veprimet e tyre në këtë incident ishin përtej këtij objektivi.

Turqia kishte argumentuar se nëse Gjykata e Lartë nuk e anulonte vendim kjo kërcënonte të dëmtonte marrëdhëniet mes dy vendeve dhe i hap rrugën “dobësimit reciprok të imunitetit për agjentët e sigurisë amerikane që mbrojnë presidentët, diplomatët dhe misionet amerikane jashtë vendit”./voa