Aktualitet

Gjykata “nuk i jep” Spanjës “kokën” e grupit të heroinës, ekstradimi pas mbërritjes së dosjes

Nikolin Janina, i dyshuar si kreu i një grupi kriminal që trafikonte heroine, morfinë e opium në disa vende të BE, është arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimi në Spanjë 2 ditë më parë (6 maj). Nikolin Janina është në lënë në burg deri në mbërritjen e dosjes së plotë nga Spanja

Arrestimi i tij u bë për llogari të autoriteteve spanjolle dhe pritet që Janina të ekstradohet në Spanjë.

Në kuadër të këtij grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga biznesmeni i pllakave dhe hidrosanitareve, policia dhe prokuroria Spanjolle, ka sekuestruar një sasi prej 53 kg e 380 gramë heroinë.

Autoritet e drejtësisë Spanjolle në vitin 2015 kanë marrë një vendim për caktimin e masës së “arrestit në burg” ndaj Janinës, duke e akuzuar këtë të fundit për akuzën e “Pjesëmarrjes në grupe kriminale të trafikimit të narkotikëve”.

Drejtësia spanjolle ka proceduar në 15 prill 2016 me nxjerrjen e emrit të biznesmenit Nikolin Janina, në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Që prej kësaj date e deri më sot, policia dhe prokuroria Shqiptare nuk kanë marrë asnjë masë për arrestimin e biznesmenit Janina.

Në datën 12 korrik 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të sekuestrojë 13 pasuritë e Janinës, duke urdhëruar që ato tashmë të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Paluajtshme pranë Ministrisë së Financave. Dy muaj pas këtij vendimi, oficerët e policisë kryen ekzekutimin e këtij vendimi në hipotekë dhe në terren.

Nuk dihet me saktësi se cilat kanë qenë arsyet se pse vendimi i gjykatës ka “fjetur” për dy muaj në sirtarët e policisë së Tiranës, por me sa duket shtrirja gjeografike e pasurive, mund të ketë dashur relativisht një kohë më të gjatë për lokalizimin e tyre në teren./abcnews.al