Celebrities Live From Tirana

“Gjykohemi se nuk marrim vesh nga futbolli, ne nuk jemi specialiste…”/për këto e shumë të tjera Sabina Mete rrëfehet për TAR!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar gazetarja sportive Sabina Mete. Duke u nisur rreth një studimi për llojin e mashkullit që femrat tërhiqen me shumë e duke listuar karakteristikat që e veçojnë partnerin ideal të një vajze, Sabina i komenton të gjitha…

Impakti i parë është bukuria. Një mashkull që ka vetëbesim të lartë është më tërheqës se sa një mashkull thjesht i bukur me tipare tërheqëse. Një njeri inteligjent ka kulturë, di të jetë i sjellshëm, një njeri që ka informacion, ka njohuri. Për mua vëmendja e partnerit është shumë e rëndësishme. Unë nuk po kërkoj vlerë monetare, po kërkoj vëmendje dhe respekt. Ka kaq shumë gjëra të rëndësishme në një marrëdhënie. Një njeri me zemër të madhe di të falë shumë dashuri. Një seks i mirë gjithashtu e mban gjallë një lidhje. Kimia që kanë partnerët në shtrat është kryesorja, nuk e zëvendëson asgjë tjetër. Për njerëz romantik si puna ime romanticiteti është shumë i rëndësishëm. A nuk të bëhet qejfi kur dikush të dhuron lule pa asnjë arsye? Unë në një marrëdhënie jam 50 me 50, çfarë do të japësh do të marrësh. As nuk dua të dominoj dhe as nuk dua të dominojnë. Unë mbaj afër vetes njerëz që kanë energji pozitive, që kanë sens humori të paparë, i largoj njerëzit që kanë ankesa dhe shfryhen gjatë gjithë kohës. Një njeri që të bën të qeshësh është një njeri që ka aftësi të ndikoj te ty për të të ndryshuar ditën. Mendoj se sensi i humorit është një nga gjërat më të rëndësishme. Unë jam aty për të dëgjuar shqetësimet e njerëzve, po jo për njerëzit që i kap ankthi për çdo gjë, që e shohin atë gotën gjysmë bosh. Jam për njerëzit që e vlerësojnë atë që kanë, dashurojnë gjërat në jetë, kënaqen me ato që kanë.

Sabina ka qenë në stadium gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni dhe ka qenë aty prezente kur trazirat filluan. Për më shumë ajo na flet vetë…

Ka pasur një sërë arsyesh që ka ndodhur ajo. Është e vështirë të gjykosh një person, sepse 90 minuta një tifoz që e ndjen atë peshën e fanellës së Kombëtares e ka shumë të vështirë të jetë i qetë. Është një formë e të shprehurit të dashurisë sepse ne shqiptarët e kemi pak zakon t’i shprehim gjërat me dhunë. Nuk dua të gjykoj askënd sepse ata janë tifoz që kanë qëndruar në të mirë e në të keq aty për mbështetje. Ne shohim njerëz me flamuj vetëm në një ndeshje futbolli, por kur zbres dhe ndeshem në trafik, shoh njerëz që shajnë dhe fyejnë njëri tjetrin. Ky nuk është patriotizëm. Nuk mund të jesh patriot se vjen nga jashtë vendit dhe sheh njëherë një ndeshje futbolli apo vetëm se ke ardhur njëherë në stadium. Nëse vërtet e duam vendin tonë, duhet të jemi gjithmonë patriot, jo vetëm në një 90 minutësh që luhet 1 herë në vit.

A është hasur me paragjykime Sabina në profesionin e saj?

Paragjykime ka kudo. Është shumë herë më mirë të punosh me meshkuj se sa me femra sepse femrat janë xheloze në pjesën më të madhe. Marrëdhënia e punës me meshkujt është ndryshe, ke ndihmesën që një femër dashur padashur nuk e ka atë dëshirën për të ta dhënë, kurse një mashkull nuk ka ndonjë interes tjetër, flas në aspektin e punës. Nuk ka ndonjë xhelozi ndaj femrave sepse secili konkurron për veten e tij. Paragjykimi më i madh është se ne na thojnë që nuk marrim vesh nga futbolli. Unë kam informacione për çdo gjë në botën e futbollit por nuk jam specialiste e futbollit. Ky pozicion është i gjykuar sepse është një terren mashkullor dhe femrat mendohet se janë aty për vëmendje, nuk marrin vesh nga futbolli dhe janë aty sepse janë thjesht të bukura. Ne jemi aty sepse dimë ta bëjmë atë punë.

Sa i përket projekteve të reja, Sabina shprehet se do të vi me një projekt të ri që nuk ka qenë më herët në ndonjë emision sportiv në Shqipëri pa na dhënë më shumë detaje të tjera.