Aktualitet

Gjyqësori, prezantohet platforma e njoftimit elektronik!

Në Këshillin e Lartë Gjyqësor, u prezantua e para platformë e njoftimit elektronik, që synon përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve ndaj përdoruesve të gjykatave. Për të gjithë avokatët e përdoruesit e gjykatave, kjo platformë siguron komunikim në kohë reale dhe informacion të detajuar mbi thirrjet e njoftimet gjyqësore.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami:

Shtrirja e instrumenteve të tilla të komunikimit digjital jo vetëm në të gjitha gjykatat por edhe për të gjithë aktorët do t’i jepte fund një problemi madhor dhe kronik që sistemi ynë ka sot me kohëzgjatjen dhe zvarritjen e gjykimeve si edhe në sigurimin e një pjesëmarrjeje efektive të të gjitha palëve të interesuara dhe publikut.

Jutta Gützkow, Shefe e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë:

Qëllimi që duhet arritur është reduktimi i kohëzgjatjes së procedurave duke siguruar të drejtën e qytetarëve për një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme në përputhje me nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Lenka Vitkova, Shefe e Seksionit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, nënvizoi ndikimin e teknologjive të reja në ofrimin e shërbimeve cilësore për publikun.

BE-ja me krenari po mbështet Shqipërinë në ngritjen e një sistemi të ri dighital të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, që përmirëson shërbimet publike në gjyqësor. Këto mjete të reja do të jenë të suksesshme vetëm nëse bazohen në bashkëpunim profesional, trajnim dhe përkushtim.

Fatmir Braka, Zv.Kryetar i Dhomës së Avokatisë Tiranë:

Krijimi i këtij sistemi elektronik dhe aksesi në të i avokatëve në çdo kohë nëpërmjet pajisjeve elektronike si telefona e tablete, do të ndihmonte dhe do të shmangte vonesat dhe vështirësitë prezente.

Testimi i platformës nisi në fund të qershorit 2022, i ndjekur nga ngritja e kapaciteteve të stafit të Gjykatës së Rrethit Tiranë. Nëpërmjet zbatimit të hartës së re gjyqësore, platforma do të shtrihet në të gjitha gjykatat e tjera në vend.