Bota

Gjyqi kundër Shalës në Hagë/ Prokuroria Speciale përfundon intervistimin e dëshmitarit të shtatë!

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar intervistimin e dëshmitarit të shtatë të mbrojtur, në gjykimin kundër Pjetër Shalës.

Pas pauzës së drekës, seanca është zhvilluar e hapur vetëm për disa minuta, ku dëshmitari ka folur për periudhën pas lirimit nga vendi që ai pretendon se është mbajtur gjatë periudhës së luftës. Pas kësaj, prokurori ka kërkuar nga trupi gjykues të kalohet në seancë të mbyllur për publikun.

Ndërsa pas pyetjeve të ZPS-së, fjalën e ka marrë trupi gjykues, por seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Vlen të theksohet se Pjetër Shala, që ndodhet në bankën e të akuzuarit, ka kërkuar që dëshmitë të jenë publike meqë po aplikohen masa mbrojtëse për dëshmitarët.

Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021. Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë-arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.