Bota

Gjysma e Australisë në izolim kundër COVID-it, strategjia ngjall zemëratë!

Mbi 13 milion australianë, thënë ndryshe rreth gjysma e popullsisë janë në izolim për shkak të rritjes së rasteve me variantin Delta të koronavirusit, i shndërruar në shqetësim në të gjithë botën.

Siç raporton BBC, Australia Jugore, territor me 1.7 milion banorë iu bashkua Viktorias dhe disa pjesëve të Uellsit të Ri Jugor duke forcuar masat anti-COVID. Përveçse kur ka përjashtime për arsye të forta, rregullorja e përcakton se qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi, të paktën për 7 ditë.

Strategjia e izolimit që po ndjekin autoritetet ka rritur zemërimin në dy qytetet më të mëdha, Sidnej dhe Melburn për shkak se nuk ka një afat se kur do të rihapen.

Ndërkohë, nga OBSH-ja, Australia merret si shembull i mirë për mbylljen e kufijve, programet e karantinës dhe izolimet e shpejta. Prej fillimit të pandemisë, në mbi një vit e gjysmë, vendi ka regjistruar më pak se 1 mijë viktima nga COVID-19.

Por shpërthimet e reja të variantit Delta po krijojnë sfida të reja, si dhe nxjerrin në pah nivelin e ulët të vaksinimit kundër koronavirusit në kohën kur apeli i autoriteteve shëndetësore është për të mos shmangur vaksinat si armë e fortë në luftën me pandeminë.