Bota

Gjysmë milion britanikë në grevë për paga më të mira në sektorin publik!

Britania e Madhe po përballet me valën më të madhe të veprimit të sindikatave në dekada. Punëtorë nga shumë sektorë, përfshirë ata të kujdesit shëndetësor dhe arsimit kanë hyrë në grevë për pagat. Rritja mesatare e tyre u ngadalësua pas krizës financiare globale dhe u rrit gradualisht në gjysmën e dytë në dekadën e kaluar. Por, në përgjithësi rritja e pagave ishte më e vogël për punonjësit e sektorit publik dhe solli pak ose aspak rritje reale.

Dallimi në paga mes sektorit publik dhe privat është thelluar më shumë gjatë vitit të kaluar, ndërsa në çmimet e konsumit inflacioni arriti në shifra dyshifrore. Në muajt shtator-nëntor 2022, pagat në sektorin privat u rritën me 7.1% krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën periudhë, pagat mesatare të sektorit publik u rritën me 3.3%. Shumë nga pakënaqësitë janë në sektorët si transporti e kujdesi shëndetësor, përfshirë punonjësit e hekurudhave, personelin e emergjencave dhe infermierët.

Në Britani, niveli më i lartë i inflacionit në 40 vjet është regjistruar muajt e fundit. Inflacioni prej rreth 10% ka goditur shumicën e pagave në sektorin publik duke shkaktuar krizë të kostos së jetesës. Kjo ka bërë që disa persona të drejtohen në organizatat që ofrojnë ndihma ushqimore. Shumë sindikata thonë se dhjetë vitet e fundit, pagat e punëtorëve kanë shënuar rritje modeste e ndikimi i inflacionit aktual ka ndërlikuar edhe më shumë situatën. Janë rritur çmimet e energjisë dhe qytetarët po ndjejnë efektet e pandemisë.

Vetëm dje, rreth 500 mijë vetë hynë në grevë. Ndërkohë, disa punëtorë të sektorit privat, nga stafi në porte e deri te shoferët e autobusëve arritën marrëveshje për pagat me punëdhënësit pasi organizuan greva. Por, po vazhdon pakënaqësia në shumë sektorë të tjerë publikë. Personeli i transportit hekurudhor, infermierët e stafi i autoambulancave, mësuesit dhe punonjësit civilë po kërkojnë rritje të pagave që përputhen ose tejkalojnë inflacionin. Po ashtu kanë të tjera kërkesa sa i përket kushteve të punës.

Qeveria britanike u ka bërë thirrje sindikatave të ndërpresin grevat e të zhvillojnë bisedime me ekzekutivin. Kabineti Sunak argumenton se rritja e pagave që do të përputhej edhe me nivelin e inflacionit do të shkaktonte rritje të mëtejshme të çmimeve. Kjo bën që të rriten më shumë normat e interesit e pagesat e kredive.

Kërkesat për rritje pagash vijnë pasi Londra zyrtare njoftoi një paketë për rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve, në përpjekje për të riparuar financat publike e zbutur inflacionin. Po ashtu, qeveria ka prezantuar një plan për të garantuar nivelet minimale të shërbimit të sigurisë gjatë grevave nga zjarrfikësit, stafi i autoambulancave dhe punonjësit e hekurudhave. Sindikatat thanë se ky ligj është sulm ndaj lirisë për të mbajtur grevë.