Aktualitet

Gledis Nano merr stafetën nga Ardi Veliu/ Fjalët e para të Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano mori këtë të hënë zyrtarisht detyrën, në një ceremoni ku paraardhësi i tij Ardi Veliu i la stafetën duke i uruar suksese në vijim.

Nano tha se profesioni i tij nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai ish-oficer i policisë. Nano dha edhe një mesazh për qytetarët që ta konsiderojnë policinë si partner.

I nderuar kryeministër, në këtë çast solemn në shenjë nderimi detyrimi dhe respekti për gjakun e punonjësve të policisë, ne emër të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, në nderin tim personal, betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit! Betohem!
Besimi i kësaj detyre përveç privilegjit më ngarkon me përgjegjësi për të qenë ne lartësinë e detyrës. Profesioni im nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai im, ish-oficer policie. Në këto dekada kam kuptuar se ky institucion është një pjesë kryesore e jetës sime që kërkon angazhim të lartë. Sfidat për policinë janë të shumëfishta. Qytetarët presin nga Policia e Shtetit standarde të tjera reagimi dhe sjelljeje në zgjidhjen e shqetësimeve të tyre dhe ne do bëjmë ç’ështe e mundur për t’i arritur. Kërkoj prej tyre ta konsiderojnë organizatën tonë si një partner. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm në punë tonë.
Prioriteti im, intensifikimi i bashkëpunimit me të gjitha agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët. Një polici më e trajnuar.
Dua t’i uroj çdo kolegu suksese në përmbushjen e detyrës. Kërkoj angazhimin tuaj maksimal në realizimin e detyrave sipas betimit që kemi bërë, deklaroi Nano.

Ministri Çuçi vlerëson Ardi Veliun dhe flet për sfidat që do të ketë përpara Gledis Nano.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në ceremoninë e prezantimit të drejtori të ri të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i shprehu mirënjohje dhe vlerësime Ardi Veliut, i cili dha dorëheqje nga kjo detyrë.

Çuçi theksoi se Veliu përgjatë këtyre viteve e çoi nivelin e Policisë në një tjetër dimension duke rritur besimin e qytetarëve te kjo organizatë.

 Sot është një ditë e veçantë që ndoshta janë si gurë kilometrikë për punën e një prej organizatave më të vjetra të shteteve. Siç e tha dhe drejtor Ardi që historia nuk nis me një drejtor dhe mbaron me një drejtor, por unë me bindje të plotë them që Ard Veliu gjatë katër viteve të mandatit të tij, padiskutim e ka çuar policinë e Shtetit në nivelet më të mira që ajo ka pasur në 30 vitet e tranzicionit. Këtu ndajmë të njëjtin mendim të gjithë bashkë. Dikush mund të ketë rezerva, por përpara fakteve kokëforte të gjithë duhet të pranojmë që Policia e Shtetit është një organizatë me dinjitet dhe tërësisht e barabartë me partnerët tanë. Policia e Shtetit ka sot besueshmërinë më të lartë që ka pasur në 30 vitet e tranzicionit. Në 2013-ën nga një sondazh i bërë, e gjetëm me 35% të besueshmërinë, ndërsa sot që Ardi lë stafetën e kemi në 65% besueshmërinë. Për mos të folur për statistikat e krimit dhe vrasjeve, në luftën kundër kultivimit të kanabisit apo trafiqeve të ndryshme, e kështu me radhë, në çdo sektor dhe statistikë, Policia e Shtetit sot është superiore ndaj vetes së vetë.

Mes të tjerash ai theksoi se drejtori i ri do të ketë një sfidë të madhe përpara, për shkak të niveleve ku ka arritur performanca e policisë së Shtetit.

Dua ta them që në fillim që zoti Gledis Nano do e ketë të vështirë sfidën, edhe për shkak të niveleve ku ka arrit performanca e policisë së Shtetit. Përveç konsideratave që kemi për Gledisin si oficer dhe si shërbyes i profesionistëve të lartë, fjalët e tjera do ia lemë kohës dhe punës që ai vetë do të demonstrojë gjatë ushtrimi të detyrës. I uroj punë të mbarë drejtorit të ri të Policisë së Shtetit dhe siç e tha dhe drejtor Ardi, asnjë drejtor policie s’mund të ketë sukses pa angazhimin e të gjithëve ju që jeni sot dhe punonjësve të policisë që shërbejnë në çdo cep të Shqipërisë!, tha ministri.

Ndërsa Ardi Veliu në mesazhin e fundit si kryepolic i Shqipërisë foli për punën e tij në polici, falënderoj kryeministrin, kolegët dhe tre ministrat me të cilët bashkëpunoi.