Bota

Goditja e shekullit në Kolumbi, arrestohet Dario Antonio Úsuga, i krahasuar me Pablo Escobar!

Për kapjen e tij, Shtetet e Bashkuara vendosën 5 milion dollarë shpërblim dhe tani, Dario Antonio Úsuga është arrestuar në Kolumbi, në Necocli, në veri-perëndim të vendit, pranë kufirit me Panamanë.

Presidenti kolumbian, Ivan Duque:

Për Kolumbinë, kjo është goditja më e madhe kundër trafikut të drogës, në këtë shekull. Një sukses i krahasueshëm vetëm me rënien e Pablo Escobar-it. Ishte misioni më i madh në xhungël i realizuar ndonjëherë në historinë ushtarake të vendit tonë, me ndihmën e pajisjeve dhe të shërbimeve sekrete amerikane e britanike.

Në kërkim prej të paktën 6 vitesh, 49-vjeçari duhet të përgjigjet në 120 procese gjyqësore për një sërë krimesh, nga vrasje të shumta e deri eksportin drejt Amerikës Qendrore, Shteteve të Bashkuara dhe Europës, të tonelatave të kokainës që vinin nga rajoni Uraba në Antioquia.

Në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara e Britaninë e Madhe, policia kolumbiane ndërmori një operacion satelitor. Në aksionin ku mbeti i vrarë një agjent, u angazhuan rreth 500 anëtarë të forcave të sigurisë, të mbështetur nga 22 helikopterë.

Lideri i klanit “Los Urabeños”, i njohur me pseudonimin “Otoniel”, nën masa shumë të rrepta sigurie u transferua më pas me avion në Bogotà ku u dërgua në një stacion policie. Drejtësia amerikane e dënoi në vitin 2009 dhe tashmë është në qendër të një procesi gjyqësor ekstradimi në distriktin jugor të Nju Jorkut.