Një gjykatë e bllokut europian rrëzoi vendimin e Komisionit Europian duke anuluar gjobën prej 1.49 miliard eurosh të vendosur gjigantit amerikane të teknologjisë, Google nga Brukseli për abuzim të dominimit në fushën e reklamave online.
“Vendimi i KE-së anulohet në tërësinë e tij”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga gjykata me seli në Luksemburg, e cila pretendon se “institucioni ka kryer gabime gjatë shqyrtimit të çështjes”.
“Gjykata pa se nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të rrethanat e rëndësishme në shqyrtimin e kohëzgjatjes së klauzolave të kontratave që KE-ja i kishte cilësuar abuzive”, theksohet aty.
Komisioni Europian, rregullator me ndikim i konkurrencës në BE, reagoi duke thënë se “do të studiojë me kujdes gjykimin dhe do të reflektojë për hapat e mundshëm të radhës” – që mund të përfshijnë edhe apelin. Ky vendim e lehtëson peshën mbi Google pasi gjykata më e lartë e BE-së javën e kaluar konfirmoi një gjobë të vënë ndaj kompanisë më 2017, me vlerë prej 2.42 miliardë eurosh, për abuzim të dominimit përmes favorizimit të shërbimit të saj për krahasimin e ofertave.
Si pjesë e një nisme të madhe për të luftuar abuzimet e gjigantëve të teknologjisë, BE-ja ndëshkoi Google me gjoba që kapin vlerën e përgjithshme të 8.2 miliardë eurove, ndërmjet viteve 2017 dhe 2019, për shkak të shkeljeve të ligjeve të konkurrencës. Gjoba prej 1.49 miliard eurosh ishte e treta në serinë e këtyre ndëshkimeve.