Botë e Çuditshme

E afroi dhe më pas e hodhi macen në det, greku rrezikon 10 vite burg!

Një burrë grek mund të dënohet me 10 vite burg pasi ka hedhur në det një mace. Mendohet se ngjarja ka ndodhur në ishullin Evia, në një restorant në bregdet. Në video shihet se si greku e afron macen me një copë peshk dhe në momentin që macja i shkon afër, ai e shkelmon në det.

Videoja u bë virale dhe shkaktoi indinjatë në Greqi, me shumë njerëz që kërkuan nga qeveria që të ndërhynte. Një ditë pas publikimit të saj, u njoftua nga autoritetet arrestimi i personit që kreu këtë veprim. Ligji grek parashikon që në raste të dhunës ndaj kafshëve, të ketë një dënim deri në 10 vite burg dhe gjithashtu një gjobë prej 50 000 eurosh.

Raportet lokale thanë se macja i përkiste pronarit të restorantit, i cili u tha gazetarëve se macja mbijetoi. Raportohet se macja u shpëtua nga deti dhe u dërgua te një veteriner aty pranë. Ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Takis Theodorikakos ndërkaq ka shkruar në Facebook se:

Pak më parë policia greke arrestoi një person që goditi me shkelma dhe hodhi në det një kotele. Dhuna ndaj kafshëve është e papranueshme. Qeveria ka miratuar një ligj të rreptë për të mbrojtur kafshët nga abuzimi, i cili tashmë është në fuqi, por në çdo rast është çështje humanizmi dhe kulture. Jam thellësisht i pikëlluar nga ata që keqtrajtojnë kafshët dhe ata që e tolerojnë atë. I përgëzoj nga zemra ata që e ngritën këtë çështje. Arsyeja tashmë i përket drejtësisë greke.