Stefanos Kasselakis nuk është më presidenti i opozitës kryesore greke, SYRIZA-Aleanca Progresive pasi shumica e anëtarëve të Komitetit Qendror votuan në favor të një mocioni mosbesimi kundër tij. Votat u hodhën nga 286 nga gjithsej 295 anëtarë të Komitetit Qendror personalisht ose me telefon, me mocionin e censurës që kaloi me 163 vota pro dhe 120 kundër. Pati edhe dy abstenime e një votë të pavlefshme.
Pas këtij rezultati do të nisin procedurat në lidhje me zgjedhjen e kreut të ri të subjektit politik nga baza e partisë. Do të fillohet me mbajtjen e një konference urgjente partiake. Duke iu drejtuar Komitetit Qendror pas shpalljes së rezultatit, Kasselakis tha se ndihej “i çliruar, sepse të gjithë qytetarët dëshmuan censurën me të cilën kam jetuar që nga dita e parë që u zgjodha president”.
Ai akuzoi “fraksione të ndryshme” brenda burokracisë dhe elitës së partisë se “refuzuan të pranonin votën e anëtarëve të partisë” dhe tha se kundërshtarët e tij kishin përdorur “praktika që nuk janë në përputhje me traditat e së majtës”.
Ndërkohë, Nikos Pappas do të përfaqësojë përkohësisht SYRIZA-PA.
Komiteti Qendror vendosi edhe për hapat e ardhshëm pas miratimit të mocionit të mosbesimit ndaj Kasselakis, duke nisur me vendimin që kryetari i Grupit Parlamentar të partisë Nikos Pappas të përfaqësojë partinë.
Sekretariati Politik i SYRIZA-PA do të mblidhet brenda dy ditëve në vijim për të vendosur datën e mbledhjes së re të Komitetit Qendror brenda 15 ditëve, i cili nga ana e tij do të vendosë një datë për mbajtjen e një Kongresi të Jashtëzakonshëm të Partisë.
Ndër kandidaturat kryesore për drejtimin e partisë është Pavlos Polakis.