Rajoni

Greqi, njihuni me masat e reja anti-COVID për periudhën e festave!

Qeveria greke shpall paketën e masave anti-COVID për periudhën e festave, nga 13 dhjetori deri në 7 janar. Ndryshimet nuk janë të shumta ndonëse nga kjo e djelë, në listën e aktiviteteve të lejuara shtohen libraritë, parukeritë, si dhe kontrolli për kolaudimin e makinave.

Por ndryshon afati i karantinës së detyrueshme për vizitorët nga jashtë vendit, i cili nga 10, bëhet 3 ditë. Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë greke, nuk dha detaje nëse do të ketë përjashtime për të ardhurit nga vende me shifra të larta të infektuarish apo dallime të kufirit ajror me atë tokësor, të cilët Greqia i ndan dhe me Shqipërinë.

Nuk do të hapen dyqanet me pakicë, nga e hëna do të lejohet funksionimi click-away, me porosi paraprake dhe vetëm marrje të produkteve në hyrje të dyqanit, pa u lejuar hyrja në ambjent. Kishat do të hapen vetëm për ditën e Krishtlindjeve dhe festën e madhe të Ortodoksisë, më 6 janar, me 9 besimtarë të lejuar në kisha dhe deri në 25 në katedrale. Në taksi lejohet vetëm 1 pasagjer, përveç rasteve të prindit me fëmijë të mitur.