Bota

Greqia dhe Italia në luftë me zjarret, rrezikojnë turistët!

Vatrat e zjarrit në ishullin e njohur grek, Rodos, kanë marrë një drejtim të pakontrolluar, duke rrezikuar jetën e turistëve dhe banesave përreth. Sipas mediave greke, qindra persona janë evakuuar, ndërsa autoritetet prej orësh janë në luftë me flakët. Shkak i përhapjes së shpejtë të flakëve dyshohet se janë erërat e forta, çka po e bën të vështirë punën e zjarrfikësve.

Si pasojë e flakëve, shumë zona janë pa energji elektrike e pa ujë, shkruajnë mediat.

Zjarri ka shpërthyer pak para orës 15:00 të mesditës së kësaj të diele, në një zonë të pyllëzuar në Rodos, midis Soronit dhe Tholos, thonë autoritetet.

Edhe në Itali situata e zjarreve, sa vjen e po bëhet më problematike. Mediat e huaja kanë publikuar pamje nga zjarret në Jug të vendit, më konkretisht në rajonin e Siçilisë. Në këtë vend, sipas raportimeve janë regjistruar të paktën 15 vatra zjarresh, një pjesë e tyre e shkaktuar nga njerëzit, e të tjerat, nga temperaturat e larta dhe erërat e shumta që po i shpërndajnë me shpejtësi.

Zjarret kanë kapluar periferinë e qytetit kryesor të Sicilisë, Katania, e siç raporton agjencia italiane e lajmeve, ANSA. Fluturimet me avion në Palermo dhe Katania janë “paralizuar” përkohësisht, për shkak të shtëllungave të tymit që janë ngritur me masë në qiell.

Në shumë pjesë të ishullit banorët janë evakuuar, por ka pasur edhe përplasje mes ekipeve të shpëtimit dhe pronarëve të shtëpive që refuzonin të largoheshin nga pronat e tyre, pavarësisht që u rrezikohej jeta nga zjarri.