Rajoni

Greqia merr masat për të garantuar furnizimin me energji në dimër!

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, konfirmon se “Greqia ka marrë masat e nevojshme për të siguruar furnizimet me energji në muajt e dimrit, në rast se Rusia ndal gazin”. Sot në një konferencë për media në Selanik, u shpreh:

Ne jemi të gatshëm për skenarin më të keq të mundshëm, pra që Rusia të ndalë gazin.

Mitsotakis bëri të ditur se “Greqia ka grumbulluar sasi të mjaftueshme të gazit të lëngshëm natyror, disa termocentrale janë të gatshme të bëjnë kalimin nga gazi në naftë, si dhe u rritën kapacitetet e qymyrit”.

Zyrtarët e Bashkimit Europian po japin shenja se synojnë të vendosin çmim tavan për gazin rus, pavarësisht kërcënimeve të Moskës se mund të ndalë furnizimet nëse merret vendimi. Çmimi tavan është çmimi maksimal i lejuar ligjërisht. Pjesërisht apo plotësisht, Rusia ndërpreu furnizimet me gaz për 13 vende anëtare të BE-së që e përdorin për të ngrohur shtëpitë, për të prodhuar energji dhe mbajtur në punë fabrikat.

Perëndimi akuzon Kremlinin se po përdor gazin si armë lufte, si shenjë hakmarrjeje për sanksionet që i janë vënë Moskës pas nisjes së luftës në Ukrainë, më 24 shkurt të këtij viti. Rusia i hedh poshtë këto akuza.

Në Europë, Çekia që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian vlerëson se “vendosja e çmimit tavan për gazin rus, nuk është zgjidhje për krizën energjetike me të cilën po përballet Bashkimi Europian”.

Europa po tenton të gjejë alternativa për energjinë ruse, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, mburret se mund të shesë lehtësisht naftë e gaz në mbarë botën, si dhe fajëson europianët për ndërprerjet aktuale të dërgesave të gazit.

Duke folur më 7 shtator në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok, Putin tha se “gazsjellësi Nord Stream 1 që transporton gaz nga Rusia në Gjermani, praktikisht është mbyllur dhe të do vazhdojë të jetë i mbyllur” sepse një nga turbinat ende është jashtë funksionit. Kreu i Kremlinit deklaroi se kompania ruse Gazprom “ka vullnet” që të rikthejë dërgesat e gazit për Nord Stream 1, nëse vendoset turbina e re, e cila duhet të dërgohet direkt nga Rusia.