Bota

Greqia përfshihet nga moti i keq, përmbytje dhe dëme nga era e fortë!

Greqia është përfshirë ditën e sotme nga moti i keq, me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë, duke sjellë probleme në disa qytete.

Selaniku është vendi më i goditur, teksa era ka thyer degët e pemëve, ndërsa rrugët janë kthyer në lumenj nga përmbytjet. Nga pamjet e publikuara në mediat vendase shihet se rrugët janë të pakalueshme, ndërsa probleme ka pasur dhe me furnizimin me energji elektrike.

Por nga ana tjetër, Evropa mund të jetë duke u përballur me një nga vitet e saj më të vështira kur bëhet fjalë për thatësirën, një mot jashtëzakonisht i thatë që po godet disa vende mesdhetare.

Ky është paralajmërimi nga Komisioneri i BE-së, Maroš Šefčovich, i cili u tha ligjvënësve të enjten se “thatësira aktuale në Evropë mund të bëhet më e keqja që ka ekzistuar ndonjëherë”

Tashmë kushtet e zgjatura të thatësirës kanë goditur disa vende anëtare të BE-së, përfshirë Greqinë dhe Italinë, duke rritur shqetësimin në gjithë Evropën për muajt në vijim.

Muajin e kaluar u raportua se një valë jashtëzakonisht e shpejtë e të nxehtit në Francë dhe Spanjë mund të rrezikonte të korrat e grurit, pasi vjen pas një pranvere të thatë.