Aktualitet

Gripi i shpendëve po bie si shi, këshillat e ekspertëve për pulat e vezët!

“Virusi nuk përhapet vetëm nga pularitë, por kryesorja është nga shpezët që janë në ajër, e përhapin me shpejtësi të madhe e infektojnë vendin. Na ndodhi tani, që erdhën nga Greqia, ato që ngordhën, ato e kanë përhapur përmes feçeve të tyre, përmes ajrit, ndaj po infektohet thuajse i gjithë vendi”.

Alarmin e jep eksperti i ushqimit, profesor doktor Abdyl Sinani, i ftuar sot në Wake Up në Top Albania Radio e Top Channel, për të folur për situatën lidhur me gripin e pulave, pas ngordhjes masive të tyre.

Ka një rregull të prerë që nëse një pulë theret, detyrimisht do të futet në 4 gradë në frigorifer. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po kontrollon gjithë frigoriferët nëse janë në 4 gradë. Nëse jo, por janë 6, 7, 8 gradë, atëherë ka filluar zbërthimi i proteinave dhe zbërthimi i yndyrnave. Në këtë rast duhet të hiqen menjëherë dhe kjo është masë e domosdoshme që duhet të merret nga AKU.

Tani vijmë te vezët që janë prodhuar. Si punë e parë për to, çdo konsumator duhet të çajë një vezë e ta shohë. Nëse lëngu i vezës është i ngjitur me të verdhën, pra nuk është i lëngshëm, kjo vezë është në rregull. Por, në këtë situatë ku jemi e kjo sëmundje që është tani, asnjë vezë nuk duhet të konsumohet.

Detyra kryesore të shohim këto pika të rëndësishme: e para që nuk duhet ta prekim me dorë mishin që nxjerrim nga dhomat e frigoriferit. Ai duhet të jetë me ngjyrë të verdhë, jo të hirtë. Ta marrim me doreza, të mos e afrojmë me ushqime të tjera. Nëse e fusim prapë në frigorifer, përsëri të rregullojmë temperaturën 4 gradë.

Nëse pula është e zbutur, ka marrë ngjyrën e hirtë, përsëri të mos e konsumojmë. Nëse mendon se është në rregull, detyrimisht duhet ta fusni në frigorifer. Sa i përket ndikimit te njeriu, nëse konsumojmë një pulë të infektuar, ne do të kishim tronditje, lodhje shumë të fortë të organizmit, marrje mendsh e duhet të bëjmë analiza. Derisa pelikani kaçurrel ka nisur të ngordhë në Greqi e kudo do të thotë se bie si shi kjo sëmundje.