Politikë

“Grupi për PD”: “Largimi i Bashës, fillimi i ringritjes, jo fundi i PD!”-së

Grupimi për PD-në listoi një sërë arsyesh se përse Lulzim Basha duhet të largohet nga drejtimi i PD-së pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit. Sot në një konferencë shtypi, ky grupim që përbëhet nga Edith Harxhi, Bujar Nishani, Ibsen Elezi, Arben Imami, Indrit Hoxha, Bislim Ahmetaj, Edvin Kulluri dhe Arben Ristani theksoi se në politikë një drejtues mban përgjegjësinë e dështimit, pavarësisht nga arsyet.

Po ashtu, Grupimi kërkoi që të merren përgjegjësitë për humbjen të cilësuar si të rëndë dhe të ndiqet shembulli i ish-kryeministrit Sali Berisha që u largua pas humbjes së zgjedhjeve. Harxhi kërkoi që PD t’i rikthehet urgjentisht rrënjëve të saj dhe të shohë drejt së ardhmes.

Largimi i Lulzim Bashës nuk është fundi i PD-së por është fillimi i ringritjes. Mosmarrja pjesë në reformën territoriale,apo në zgjedhje i la fushë PS-së. Sot PD nuk ka asnjë të zgjedhur në nivel qendror dhe nivel lokal. Lista e PD-së rezultoi e shitur, me ata u sigurua një shumicë kushtetuese. Marrëveshja e 5 majit dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme PD-në dhe aleatët.

“Grupi për PD”, brenda selisë blu propozon reformim të thellë të partisë. Edith Harxhi përmendi modelin e hapjes dhe bashkimit të forcave brenda dhe jashtë vendit të atyre që janë larguar apo që duan të vijnë në PD. Kthimin në program të qartë të të djathtës konservatore moderne, ndryshimet statuore duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit. Po ashtu, debat të lirë dhe sistemin e primareve me programe të qarta politike për çdo kandidat, çdo demokrat brenda dhe jashtë vendit.

Kjo PD mund ta nxjerrë vendin nga kriza politike, vetëm kjo parti mund të përfaqësojë vendin dhe të fitojë!