Politikë

Grupimi për PD: Kryetari i zgjedhur nuk përfaqëson as shumicën e thjeshtë të anëtarësisë!

Grupimi ‘Për PD-në’ ka dalë në një konferencë për media, ku kanë listuar një sërë arsyesh se përse Lulzim Basha fitoi një mandat të tretë në krye të PD përmes një procesi me shkelje të mëdha. Ata i kanë konsideruar zgjedhjet në kufijtë e pavlefshmërisë, pasi thonë se janë kryer shkelje të rënda të të drejtave kushtetuese dhe statusore.

Edit Harxhi, e cila ishte një prej kandidatëve për kryetar të PD-së nënvizoi faktin se mijëra anëtarë të PD nuk u lejuan të votonin , ndërkohë që mijëra u përjashtuan nga listat fare.

“Në shumicën e qendrave të votimit është fotografia e kryetarit aktual në mur. Kutitë e votimit nuk kanë pasur kodet përkatëse të sigurisë”, tha ndër të tjera Harxhi.

Grupi për PD-në e ka vlerësuar shumë të rëndë situatën brenda Partisë Demokratike.

“Veç listës së shkurtuar ka pasur një mungesë të madhe të emrave në listë. Në kundërshtim me çdo normë janë bërë anëtarë të rinj dhe janë shpërndarë karta anëtarësie. Një pjesë kanë votuar vetëm me një “kontrabiletë” me shkrim dore. Kanë votuar persona pa kartë anëtarësie. Në kundërshtim me nenin thuhet se secili ka të drejtë të përcaktojë një auditues. Nuk janë lejuar të verifikojnë nëse ka modifikime në sistem. Kjo është një mungesë shumë e madhe se nuk kemi pasur akses, kutitë nuk kanë pasur kodet përkatëse”, tha Harxhi.

Kreu i PD-së është votuar vetëm nga 32 mijë anëtarë nga 75 mijë anëtarë të regjistruar nga PD. 25 mijë më pak se në vitin 2017 dhe tre mijë më pak se në vitin 2013, vit kur PD ka qenë ende në pushtet dhe ka pasur 40 mijë pjesëmarrës në zgjedhjet për kryetar partie.

Procesi ishte në shkelje të parashikimeve statuore, i pabarabartë, i padrejtë dhe me shkelje të rënda duke mundësuar një fushatë dhe garë elektorale përjashtuar kryetarin në detyrë u tha ndër të tjera.

Kryetari i zgjedhur nuk përfaqëson as shumicën e thjeshtë të anëtarësisë së partisë por një minorancë duke mos i dhënë legjitimitetin statuor dhe forcë morale për të drejtuar një proces reformash të thella të cilat sot janë në emergjencë dhe jetike për PD-në.

Grupi për PD do të vazhdojë angazhimin brenda PD-së për demokratizimin e partisë, ringritjen, reformimin e plotë dhe hapjen e partisë, bashkimin e të gjitha kontributeve dhe vlerave të të gjitha kohërave në PD, futjen e PD-së në shina të djathta ideologjike, për të bërë të mundur ringritjen e opozitës së djathtë shqiptare, si e vetmja mundësi për t’i dhënë Shqipërisë një model të ndryshëm nga qeverisja e Rilindjes, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo si ato të 25 prillit 2021 dhe një qeverisje me duar të pastra larg korrupsionit, krimit të organizuar dhe oligarkëve politikë”, theksuan anëtarët.