Bota

Habit Trump: Presidentëve të rëndësishëm iu bëhen atentate!

Pasi të dielën u parandalua një tjetër përpjekje për atentat ndaj tij në Florida, Donald Trump iu kthye fushatës për presidencialet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara. Madje, kandidati republikan u mburr se “vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”. Ndërkaq, Trump përshëndeti rivalen demokrate Kamala Harris, për kujdesin e treguar përmes një telefonate.

Trump mbajti një tubim para mbështetësve në Flint, qytet industrial që dikur ishte qendër e industrisë së makinave amerikane, para se fabrikat të mbylleshin për shkak të konkurrencës së jashtme. Ngjarjen e 15 shtatorit në Florida, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë u përpoq ta lidhë me zotimin e tij për të vendosur tarifa të larta ndaj importit të automjeteve nga Meksika e nga Kina.

Dhe pastaj habiteni pse sulmohem me armë… E dini që vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat.

Kandidati republikan u shpreh edhe se njeriu që dyshohet se u përpoq ta vriste ishte ndjekës i asaj që e ka quajtur “retorikë e presidentit Joe Biden dhe e Harris-it, që ngulmon se Trump-i përbën rrezik për demokracinë amerikane”.

Zv.presidentja aktuale e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, e cila bëri fushatë në Pensilvani, shtet me luhatje sa i përket votës, u shpreh se ka kontaktuar me ish-presidentin pas sulmit të parandaluar.

Bisedova me të për të dëgjuar si është. I shpreha atë që e kam thënë publikisht. Nuk ka vend për dhunë politike në vendin tonë.

Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar bisedën Harris-Trump si “të përzemërt e të shkurtër”. Trump deklaroi se Harris “u tregua aq e mirë”.

Shërbimi Sekret hapi zjarr pasi njëri prej agjentëve pikasi grykën e pushkës që dilte nga shkurret të dielën, mbi 300 metra pranë fushës ku ish-presidenti po luante golf në Florida. I dyshuari u largua me një makinë fuoristradë, thanë autoritetet. Oficerët e policisë gjetën të lëna pas një armë gjysmë automatike të mbushur me municion (SKS) dhe të pajisur me një dylbi snajperi, një kamera dixhitale dhe një qese plastike me ushqime.

Targat e vendosura në automjet ishin raportuar si të vjedhura nga një makinë tjetër. Ndaj të dyshuarit u ngritën akuza për shkelje të ligjit për armëmbajtje në një gjykatë federale. Kandidati republikan për president në zgjedhjet e këtij viti që mbahen më 5 nëntor nuk u dëmtua fizikisht.

Por, ky incident ngre pikëpyetje të reja se si dyshuari i armatosur arriti t’i afrohet, vetëm dy muaj pasi një tjetër person i armatosur hapi zjarr më 13 korrik gjatë një tubimi në Butler të Pensilvanisë, duke e plagosur ish-presidentin në veshin e djathtë.