Bota Tech

Hakerat pro-rusë sulmojnë faqet e internetit të disa institucioneve kryesore në Itali!

Policia ka raportuar së fundmi se hakerët pro-rusë kanë sulmuar faqet e internetit të disa institucioneve dhe ministrive të qeverisë italiane. Në orën 08:00, ende nuk ishte e mundur të hyje në faqet e internetit të ministrisë së jashtme italiane dhe shoqatës së saj kombëtare të magjistratëve. Sulmi u nis rreth orës 20:00 të enjten nga grupi i hakerëve “Killnet”, tha në një deklaratë grupi italian i sigurisë kibernetike Yarix.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, shumë qeveri perëndimore kanë ngritur nivelet e alarmit në pritje të sulmeve të mundshme kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së IT. Vlen të theksohet se Rusia në mënyrë rutinore mohon se kryen operacione sulmuese kibernetike.

Rikujtojmë gjithashtu se një sulm i ngjashëm ndodhi më 11 maj dhe policia fundjavën e kaluar tha se kishte penguar një sulm kibernetik në fazat e fundit të Eurovision Song Contest në Torino, i cili përfundoi të shtunën me fitoren e hyrjes së Ukrainës. Policia ia atribuoi të dy sulmet grupit Killnet dhe degës së tij Legion.

Javën e kaluar, hakerët pro-rusë sulmuan disa ueb-faqe të institucioneve italiane, përfshirë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Senatit. Disa sulme të tjera të raportuara thuhet se kanë penguar punën e disa institucioneve, përfshirë edhe të ueb-faqes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Mediat italiane thanë se grupi pro-Kremlinit, Killnet, ka pranuar se qëndron prapa sulmeve kibernetike.

Në prill, Killnet shënjestroi ueb-faqet e Qeverisë së Rumanisë për shkak të mbështetjes që ky vend i jep Ukrainës në luftën kundër Rusisë.