Aktualitet Rajoni

Hakerohet sistemi i doganave në Maqedoninë e Veriut, bllokime në pikëkalimin e Qafë Thanës!

Hakerat sulmojnë sistemin e palës maqedonase, bllokohen 118 mjete të vogla dhe mbi 20 kamiona në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Krahas përpjekjeve për të rikthyer normalitetin pasi nga sulmi kibernetik janë prekur të gjitha pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut më vendet fqinje u vendos të procedohet manualisht. Nuk përjashtohet mundësia që hakerimi të ketë lidhje me tensionet e fundit mes Shkupit e Sofjes për udhëheqin historik Goce Dellçev, i pretenduar nga të dy palët.

Nën masa të rrepta sigurie, në Shkup nisën aktivitetet për shënimin e 151-vjetorit të lindjes të Goce Dellçevit, figurë historike për të cilën kanë pretendime si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Bullgaria. Dellçev udhëhoqi rezistencën maqedono-bullgare kundër Perandorisë Osmane në vitin 1900. Rrugët që çojnë te varri i Dellçevit në Kishën e Shën Spasit, janë bllokuar nga forcat speciale. Lejohen të kalojnë vetëm delegacionet shtetërore e mediat e akredituara.

Policia maqedonase u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë urdhrat në rrugët ku zhvillohet aktiviteti, për të garantuar sigurinë e delegacioneve pjesëmarrëse. Një grup bullgarësh paralajmëroi praninë ndërsa eurodeputeti Angel Xhambaski, i njohur për retorikën nacionaliste, kërcënoi presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, duke kujtuar atentatin ndaj ish-mbretit serb, Aleksandar Karagjorgjeviç.

Autoritetet kanë bërë thirrje për kremtime në paqe e dinjitoze të këtij përvjetori. Tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u rritën nëntorin e kaluar kur në Manastir e Ohër, pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut hapën klube bullgare me emrat: “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”. Në periudhën e Perandorisë Osmane, ata sunduan Bullgarinë me synimin e “bashkimit të tokave maqedonase me Bullgarinë”.

Prej vitit 2017, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por pa arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet historike. Shtetet fqinje kanë mosmarrëveshje për prejardhjen e shumë personaliteteve historike, përfshirë Goce Dellçevin e të tjera çështje që kanë të bëjnë me identitetin e gjuhën maqedonase, pasi bullgarët pretendojnë se kanë “rrënjë bullgare”.