Një pasagjer është arrestuar në një aeroport në Australi pasi ka dalë nga aeroplani nga dalja emergjente. Në videot e regjistruara nga pasagjerët në fluturim, mund të shihet burri i rrethuar nga njerëz të sigurisë ndërsa ai i reziston arrestimit. Sipas një dëshmitari okular, burri po sillej çuditshëm gjatë fluturimit, ndërsa tregoi se pasagjerët e tjerë janë tmerruar kur kanë parë këtë ngjarje të pazakontë.
Një zëdhënës i linjës ajrore Jetstar tha se avioni ishte i parkuar në portën e aeroportit në momentin që burri hapi daljen e emergjencës ndërsa aktivizonte rrëshqitjen. Oficerët e Policisë Federale Australiane ishin alarmuar nga stafi i avionit dhe e arrestuan burrin për sjellje agresive dhe shkelje të protokolleve të sigurisë së avionëve. Pasagjeri, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije është dërguar në spital, ndërsa policia po vazhdon hetimet ne lidhje me ngjarjen që ka shokuar dhjetëra persona.