Aktualitet

Hapet aksi Elbasan-Qafë Thanë/Në Fierzë, shirat rrisin nivelin e liqenit!

Hapet aksi Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur Kthesat e Murrashit. Rruga u bllokua mbrëmë për shkak të rënies së inerteve, por sot u hap. Ndërkohë, Gjinar-Zavalinë, pranë fshatit Zavalinë nuk kalohet, nga rrëzimi i një masivi shkëmbor duke bllokuar qarkullimin. Problematikat si rezultat i motit të keq, me reshje intensive shiu, nuk kursyen as rrugën Rrëshen-Kurbnesh, ku rrëshqitja e gurëve ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve. Po ashtu, punohet për pastrimin e inerteve.

Por, lajm i mirë nga reshjet e shiut është përmirësimi i situatës hidrike në Liqenin e Fierzës ku në krahasim me 6 ditë më parë, niveli i ujit është rritur me 4 metra. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare publikoi sot përditësimin e informacionit mbi prurjet natyrore dhe prodhimin e energjisë elektrike në kaskadën e lumit Drin.

Sipas KESH-it, prurjet natyrore në kaskadën e Drinit janë: HEC Fierzë 800 m3/s, HEC Koman 650 m3/s dhe HEC Vau i Dejës 120 m3/s.
Nivelet në liqenet e Kaskadës së Drinit janë: Hec Fierzë 263.12 mmnd, Hec Koman 173.10 mmnd dhe Hec Vau Dejës 74.80 mmnd.
Prodhimi ditor në të tre HEC-et është: 15,993 MWh, ndërsa rezerva energjetike është 350 GWh.

Paradite, vendi ynë do të paraqitet nën ndikimin e vranësirave dhe shirave të dendur e herë pas here shirat do të jenë rrebeshe. Sipas shërbimit MeteoAlb, më problematike situata vijon në veri të Shqipërisë. Gjithashtu, nuk mungojnë stuhitë e forta të erës. Parashikohet që pasditja dhe mbrëmja të sjellin dobësim të intensitetit të shirave në të gjithë territorin shqiptar. Temperaturat luhaten në vlerat nga 1 në 13 gradë celcius. Era fryn e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi verior e verilindor, duke krijuar dallgëzim 3 ballë në brigjet detare.

Sipas Autoritetit Portual, tragetet e linjës Durrës-Bari u nisën në oraret e parashikuara mbrëmjen e kaluar, po ashtu mbërritën sot në kohë në portin e Durrësit, më i madhi në vendin tonë. Si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve të shumta të shiut, u anulua për dy ditë lundrimi i tyre.