Aktualitet

Hapet BiblioTech, përurohet laboratori inovativ në Tiranë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi, përuruan laboratorin më të ri inovativ, BiblioTech “Misto Treska”, e katërta në kryeqytet.

Kryebashkiaku shprehu besimin se edhe kjo nismë do të jetë një histori suksesi. “Ajo që na bashkon me UNICEF-in është investimi për dijen. Sot jam shumë krenar për këto katër pika të reja që hapim, janë vetëm 4 fara të para që mbjellim në Tiranë. Prirem të jem gjithnjë ai optimisti kronik dhe të shoh më të mirën, ndaj realisht ju uroj sukses të katër bibliotekave”, tha ai.

Veliaj u shpreh se ambicia e Bashkisë së Tiranës është t’u mësojë të rinjve profesionet e së ardhmes, dhe prova më e mirë për këtë janë hapja brenda një jave e disa akademive digjitale. “Ka gjithmonë një pyetje: Çfarë bën ti për rininë? ‘Jep peshk’ apo mëson si peshkohet? Ka plot që ‘japin peshk’. Kur bën një kamp veror, do pimë të gjithë birra apo kafe me filan politikan? Ok, gjë e mirë është, një birrë, një kafe. Por, është thjesht një ambicie shumë e vogël. Ambicja jonë është ‘të mësojmë si peshkohet’. Brenda 7 ditëve kemi hapur qendrën Tumo, u hap Softëare Development Academy, (Akademia e Zhvillimit të Software-ve), që në fakt është për një moshë më të madhe. Kurse me UNICEF-in bëmë këtë projekt, që vjen për të gjitha moshat”, theksoi ai.