Aktualitet

Hapet Kardhiq-Delvinë! Shkurton me 45 minuta udhëtimin drejt Sarandës!

Sot u hap për qarkullim rruga më e re në Shqipëri, Kardhiq-Delvinë dhe tuneli i Skërficës, duke shkurtuar me 45 minuta udhëtimin drejt Sarandës. Synohet lehtësimi i qarkullimit, sidomos tani që sezoni veror, ka shtuar dukshëm fluksin e makinave. Përfundimi i Kardhiq-Delvinë me gjatësi 33 kilometra u shndërrua në festë, me këngë, valle e panaire. I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, kryeministri Rama e nisi vizitën në rrugën e re, nga portali i tunelit, në krahun e Gjirokastrës e më pas përshkoi tunelin për të dalë në zonën e Delvinës. Rama u shoqërua nga ministret Balluku e Kumbaro.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:

Sot dorëzojmë tunelin e Skërficës. Eshtë loti i shtatë i Kardhiq-Delvinë, një vepër e nisur në 2008 me tre lote të mbetura rruguëve të cilat u përfunduan në 2018, 10 vite pas. Më pas në 2018 kemi nisur lotët e tjera, 4, 5 dhe 6 që i dorëzuam në 2021 dhe loti që tani po kalojmë që është tuneli i Skërficës, është loti i shtatë. 1.3 kilometra tunel dhe me dy portalet hyrës, 1.3 të tjera, pra 2.6 kilometra në total. E kemi nisur në gusht të 2020 për ta përfunduar në gusht të 2022 dhe siç premtuam ditën e hapjes e kemi përfunduar 2 muaj më parë për të qenë i gatshëm për sezonin e këtij viti. Rëndësinë e këtij aksi e kemi thënë shpesh herë. Eshtë një nga pjesët më të rëndësishme që do të lidhë Gjirokastrën me Sarandën dhe Tepelenën. Ka qenë një moment i shumëpritur si nga bizneset e zonës ashtu dhe nga turistët.

Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se ka një ndryshim shumë pozitiv të hartës turistike, ku nga rrugë me një kah, janë shndërruar në infrastruktura lehtësuese për automjetet dhe këmbësorët.

Praktikisht është një revolucion sa i përket hartës turistike sepse itineraret deri tani kanë qenë me një kahje. Tani nga Saranda, edhe me trafikun që mund të ketë për shkak të turizmit, deri në fund të tunelit janë vetëm 20 minuta. Deri në rrugën e Kardhiqit janë dhe 10 kilometra pra dhe 5-6 minuta, çka e bën Sarandë-Gjirokastër, 35-40 minuta. Kjo do të thotë që harta turistike tanimë nuk është thjesht detare, por kemi një hartë turistike që lidh malin me detin dhe e bën atë që kemi objekti, turizmin gjatë gjithë vitit.