Botë e Çuditshme Tech

Hapet një rrugë e re në fushën e rehabilitimit, i riu nga Holanda mund të ecë përsëri falë “urës digjitale” midis trurit dhe palcës kurrizore!

Një holandez 40-vjeçar, i cili ka qenë i paralizuar që nga viti 2011, mund të ecë përsëri duke përdorur një ‘urë digjitale’ midis trurit dhe palcës kurrizore. Truri i tij tani mund të flasë drejtpërdrejt me pjesën e palcës kurrizore që kontrollon lëvizjen, duke e lejuar atë të qëndrojë dhe të ecë natyrshëm. Pajisja u zhvillua nga një grup neurokirurgësh dhe neuroshkencëtarësh nga Universiteti Teknik i Lozanës në Zvicër. Është hera e parë që kjo teknikë novatore, është testuar mbi një pacient, por tashmë është e qartë se është hapur një rrugë e re në fushën e rehabilitimit.

Holandezi ishte 29-vjeç kur në vitin 2011 teksa punonte në Kinë mbeti viktimë e një aksidenti të rëndë me biçikletë, i cili e privoi atë nga përdorimi i këmbëve dhe krahëve. Gert-Jan Oskam tha në konferencën për shtyp se:

Kam qenë në gjendje të qëndroj në këmbët e mia, kam mësuar të eci natyrshëm dhe mund të kontrolloj lëvizjet dhe forcën time.

Kjo strukturë artificiale, duke vepruar si një urë, lejon kalimin e impulseve elektrike midis neuroneve dhe fibrave nervore, duke lejuar trurin të komunikojë me palcën kurrizore, e cila kontrollon lëvizjen e këmbëve. Qëllimi është të munden njerëzit e paralizuar të lëvizin përsëri në mënyrën më të natyrshme të mundshme, duke përshtatur ritmin e tyre edhe në terrene të pabarabarta, pa humbur ekuilibrin.

64 elektroda regjistrojnë sinjalet e korteksit sensorimotor duke përdorur frekuenca që inteligjenca artificiale ka lejuar të identifikojë, më pas sinjalet përkthehen në sinjale elektrike dhe transmetohen në palcën kurrizore, ku merren nga 16 elektroda dhe deshifrohen në kohë reale, pa pasur nevojë për kompjuter për këtë funksion. E gjithë kjo kërkon një sistem kontrolli të vishur, të mbajtur në një çantë shpine.

Ky rezultat u mundësua nga grupi kërkimor i Universitetit Politeknik të Lozanës i drejtuar nga Gre’goire Courtine, i njëjti që në shkurt 2022 kishte eksperimentuar me një sistem elektrodash që mund të kontrolloheshin me një tabletë, e cila dërgonte stimuj elektrike në muskujt në mënyrë të programuar.  U deshën pesë minuta për të kalibruar pajisjen, e cila mbeti e qëndrueshme dhe efikase për më shumë se një vit, edhe kur burri ishte në shtëpi pa mbikëqyrjen e studiuesve. Paralelisht, studiuesit po punojnë për të vazhduar eksperimentimin, i cili në fazën tjetër përfshin përfshirjen e tre personave të paralizuar.