Rajoni

Hapet ura që bashkon territorin e Kroacisë!

Në Kroaci u hap ura që lidh dy zona të bregdetit kroat, të ndara nga një pjesë e vogël e territorit të Bosnje e Hercegovinës. 85% e veprës së gjatë 2.4 kilometra u financuan nga Bashkimi Europian ndërsa ndërtimin e kreu një kompani kineze.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç tha se “ura paraqet një arritje strategjike të popullit kroat dhe përmbush ëndrrën e gjatë për të lidhur dy brigjet e Adriatikut”.

Unë me të vërtetë mendoj se kjo është ngjarje e madhe për Kroacinë, popullin kroat, për miqtë tanë në Bosnje dhe Hercegovinë, për kroatët atje. Një ngjarje e madhe që ne arritëm ta realizojmë jo vetëm si një ëndërr, jo vetëm me ndihmën e atyre që kanë punuar për gati 30 vitet e fundit për të, por me ndihmën e miqve tanë në Europë, miqve tanë në Kinë.

https://twitter.com/AndrejPlenkovic/status/1420533779869970435?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1420533779869970435%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2Fcroatia%2F598333

Plenkoviç u shpreh se me ndërtimin e urës u realizuan interesat strategjike të Kroacisë.

Kjo është dëshmia më e mirë se si të qenit vend anëtar në Bashkimin Europian, e ndihmon Kroacinë të përmbushë përparësitë e saj kombëtare.

Ura dhe rrugët lidhëse pritet të përfundojnë në qershor të vitit të ardhshëm dhe deri atëherë, udhëtarët që duan të vizitojnë disa nga zonat më tërheqëse turistike të Kroacisë, si Dubrovniku, duhet të kalojnë dy vendkalime kufitare mes Bosnjes e Kroacisë, në portin bregdetar boshnjak të Neumit.

Zyrtarët e Bosnjes nuk ishin të kënaqur kur filloi ndërtimi, duke pretenduar se ura që anashkalon territorin boshnjak, shkel sovranitetin e këtij shteti në Adriatik. Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç tha se ura nuk do të ndajë por do të lidhë njerëz e kombe.

Vitet e fundit, Kina ka derdhur fonde në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore si pjesë e projektit të saj strategjik “Një brez një rrugë”. Kjo përfshin përmirësimin e infrastrukturës dhe ka për qëllim krijimin e një rrjeti të lidhjeve të transportit e tregtisë mes Kinës dhe Europës.

Por zyrtarët e BE-së shqetësohen se investimet kineze rrisin ndikimin ekonomik dhe politik të vendit aziatik në rajonin që ende po rimëkëmbet nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë, në vitet 1990.