Aktualitet

Hapja e dosjeve, debate Alibeaj-Majko në Komisionin e Ligjeve!

Në Komisionin e Ligjeve u diskutua propozimi për hapjen totale të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Demokrati Enkelejd Alibeaj iu kërkoi deputetëve, të bien dakord për hapjen e plotë të tyre.

Dosjet të hapen pa asnjë kufizim, pra vetëm me kufizimin që të mos cënohet siguria kombëtare. Me këtë jam dakord. Ajo që po pretendojmë ne është shumë herë më tepër, jo vetëm të kontrollohet, por të mos kontrollohet nga një dorë e vetme.

Deputeti socialist, Pandeli Majko tha se duhet patur kujdes, se cënohen fate individësh.

Të jemi pak më të rezervuar, ta lëmë mes marrëdhënieve midis viktimës dhe kush e ka spiunuar, ndërsa ju doni të bëhet si Facebook. Kemi të bëjmë me fate individësh. Ka edhe viktima që nuk do të donin të dilnin detaje. Diskutoni si adoleshentë.

Në Komisionin e Ligjeve, maxhoranca nuk pranoi një amendament të Alibeajt për hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nga nëntori 1944 deri në korrik 1991. Shumica socialiste vendosi të mos e marrë në konsideratë e pas rrëzimit, deputetët e opozitës vendosën ta braktisin mbledhjen e komisionit.

Alibeaj tha:

Maxhoranca në Komision tregoi fytyrën e vërtetë duke mos votuar hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Ai e cilësoi “pjellë të Partisë së Punës” dhe “shkaktare të dhimbjeve”.

Enkelejd Alibeaj: Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, çdo institucion ka detyrim të publikojë bibliografinë e dokumenteve të shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991 të deklasifikuara plotësisht. Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për informimin. Unë gjykoj që këtu e ka vendin. Nëse e miratojmë për teknikë legjislative, mund ta çojmë ku të doni ju.

Pandeli Majko: Ajo ku ne ndahemi këtu është se ne jemi për hapjen e dosjeve sipas të gjitha propozimeve. Ne themi duhet të jemi pak më të rezervuar. Ta lëmë hapjen e dosjes si marrëdhënie mes viktimës dhe dosjes së tij. Ju doni që dosja të bëhet si Facebook. Po diskutojmë për fatin e viktimave. Ti tani do që të na vësh ne në pozitë të vështirë që të thuash maxhoranca nuk do hapjen e dosjeve. Po diskutojmë për një dramë. Nëpër dosje ka edhe detaje, të cilat ndoshta edhe i përndjekuri nuk do që t’i dijë sepse ka të përndjekur që janë detyruar të bëjnë spiunin.