Aktualitet

Harta e re gjyqësore, avokatët në Vlorë zgjasin bojkotin!

Ndërsa dje përfundoi afati zyrtar i bojkotit 4-ditor të seancave gjyqësore, në shenjë proteste për hartën e re gjyqësore që redukton gjykatat, Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë vendosi të vijojë bojkotin e të gjithë seancave, deri më 24 qershor. Duke folur për mediat, kryetari i Dhomës, Durim Barjamaj bëri të ditur se këtij vendimi i është bashkuar edhe Dhoma e Avokatisë Shkodër.

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë doli me vendimin në mënyrë unanime që të vijojë bojkotin deri më datë 24 qershor. Dhoma vendore vendosi që në datën 21 dhe 22, veç seancave gjyqësore, të bojkotohen edhe masat e sigurimit personal. Ne kemi një veprim të përbashkët e na mbështet Dhoma Vendore e Avokatisë së Shkodrës. Kemi mbështetjen e tyre dhe presim që dhe ata të dalin me një vendim.

Në reagimin e një dite më parë, Dhoma e Avokatisë, paralajmëroi përshkallëzim të qëndrimit deri në një bojkot kombëtar e pa afat.

Reagimi zyrtar:

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, në mbledhjen e zgjeruar të datës 17 Qershor 2022, me pjesëmarrjen edhe të kryetarëve të dhomave vendore të avokatisë, mori në shqyrtim zbatimin e vendimit për bojkotimin e proceseve gjyqësore për periudhën katër ditore. Ky Komitet Drejtues vlerëson përmbushjen e qëllimit për të cilin u morr ky vendim, duke e konsideruar si fillim të një procesi për përmbushjen e kërkesave lidhur me ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë.

Vlerësojmë, që Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë ka bërë prezent që në fillesat e hartimit të projektit të Hartës Gjyqësore problematiken e zbatimit në praktikë të një projekti të tillë. Me keqardhje u konstatua injorimi haptazi dhe mos marrja në konsideratë nga ana e KLGJ të propozimeve tona, në vendimin e saj të datës 10.06.2022.

Ne i qëndrojmë vlerësimit tonë, që kjo hartë gjyqësore është në shkelje të plotë të së drejtës së individit për aksesin në drejtësi, mungesës së eficencës në realizimin e të drejtës së mbrojtjes si dhe rëndimin e situatës ekonomike – sociale të individit. Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave, si organi vendimmarrës për miratimin e hartës gjyqësore, të marrë në konsideratë vërejtjet dhe propozimet e bëra prezent nga ana jonë gjatë gjithë këtij procesi.

Mosmarrja në konsideratë e vërejtjeve dhe propozimeve të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë në procesin e vendimmarrjes nga ana e qeverise do të jetë objekt vlerësimi i qëndrimit të dhomës së avokatisë, duke përshkallëzuar qëndrimin tonë në të ardhmen drejt një bojkoti total dhe pa afat.